Abuzimi, dënohet zyrtari i lartë i Shërbimit Sekret Ushtarak
E larguan nga puna pa motivacion, kallëzon shefin në prokurori për shpërdorim detyre. Gjykata e Faktit ka dhënë burg e gjobë për shefin e burimeve njerëzore të Shërbimit Informativ Ushtarak, Gazmor Binjaku. Vendimi mban numrin 1050 dhe është zbardhur në faqen zyrtare të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Binjaku është gjetur fajtor për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe është dënuar me 7 muaj burgim për një kohë prove prej 2 vjetësh, 500 mijë lekë gjobë dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë kohe prej 2 vjetësh. Duke iu referuar këtij vendimi, shtetasja L.J. nuk kishte ngurruar ta kërkonte të drejtën e saj në rrugë ligjore. L.J. kishte punuar si specialiste në degën e burimeve njerëzore të Shërbimit Informativ Ushtarak, po në qershor 2008, atë e kishin larguar nga puna. Pasi ka kërkuar arsyet e largimit ajo ka parë në dosje një formular ku ishte shënuar edhe një masë disiplinore, e cila nuk u pranua nga punonjësja. Këtu fillon edhe odiseja e një procesi, i cili ka përfunduar në Gjykatën e Tiranës vetëm pak ditë më parë.
Organi i Prokurorisë, kishte dërguar për gjykim të pandehurin Gazmor Binjaku, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të ‘shpërdorimit të detyrës’, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Gjatë shqyrtimit gjyqësor të kësaj çështje, organi i akuzës, duke pretenduar në fajësinë e të pandehurit Gazmor Binjaku në lidhje me kryerjen prej tij të veprës penale të ‘shpërdorimit të detyrës’, kërkoi dënimin e tij. “I pandehuri Gazmor Binjaku është me detyrën e shefit të zyrës së burimeve njerëzore të Shërbimit Informativ të Ushtrisë. Nga veprimet hetimore të zhvilluara, ka rezultuar se shtetasja L.J., ka qenë me detyrë te specialistët në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore pranë SHIU-t, nga dt. 27.09.2004 deri në dt. 01.06.2008. Shtetasja L.J., duke menduar se i pandehuri ka shpërdoruar detyrën, në hartimin e vlerësimit të punës së saj, ka depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, një kallëzim penal kundër të pandehurit për kryerjen e veprës penale të shpërdorimit të detyrës. Sipas kallëzueses, largimi i saj nga detyra është bërë pa shkak dhe pa respektuar procedurën ligjore. Për këto arsye kallëzuesja i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me një kërkesëpadi me anë të së cilës kërkon dëmshpërblim për largimin padrejtësisht nga puna, duke iu referuar ligjit përkatës. Për ta paraqitur me cilësinë e provës para Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kallëzuesja ka kërkuar dokumentacionin e saj personal që ndodhej në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore pranë SHIU-t dhe nga vënia në dispozicion të këtyre provave ka rezultuar dhe një formular i vlerësimit të punës së saj, për periudhën janar-qershor të vitit 2008, si dhe të urdhrit nr. 917 dt. 19.06.2008, në të cilin thuhej që kallëzueses i është dhënë vërejtje me paralajmërim për shkarkimin nga detyra”, shkruhet në vendimin e gjykatës. Po sipas vendimit, kallëzuesja i ka kontestuar këto prova, pasi, sipas saj, ato nuk kishin qenë në dosjen e saj personale dhe ishin bërë nga i pandehuri duke shpërdoruar detyrën. Këto prova i ishin vënë në dispozicion Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas gjashtë muajve dhe në kallëzimin e saj L.J. sqaronte se ky dokumentacion ishte përgatitur 4-5 muaj pas largimit të saj nga puna. “Për sa i përket firmës së hedhur në vlerësimin e punës se saj, ku përfshihej dhe masa disiplinore, sipas kallëzueses ishte në kompetencë të z. F.B., i cili është me detyrën e shefit të administratës te SHIU.
Kjo firmë, sipas kallëzueses, është e falsifikuar nga ana e të pandehurit, pasi në atë kohë që pretendohet se është marrë masa disiplinore, z. F.B. nuk ndodhej në Shqipëri, gjë e cila është hetuar dhe nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, gjithashtu dhe shefi i protokollit, i cili ka protokolluar këtë shkrese z. T.D., në atë periudhë ka qenë jashtë vendit. Nga organi i akuzës, meqenëse në kallëzimin e saj shtetasja L.J. kishte kontestime për firmën e shefit të administratës së SHIU-ut, z. F.B., është marrë vendim për kryerjen e aktit të ekspertimit grafik dhe me aktin e ekspertimit nr. 5451, dt. 17.07.2009, nga ka rezultuar se nënshkrimi objekt, i vendosur përbri emrit F.B., në formularin për vlerësim personeli civil, nuk është përftuar me bojë të njomë, por e mbartur nëpërmjet procesit të fotokopjimit. Nga sa u parashtrua më lart, nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, çmohet se i pandehuri ka konsumuar elementet e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”, thuhet në vendim. Prokurori Valentin Preçi, kishte kërkuar deklarimin fajtor dhe dënimin e binjakut me 9 (nëntë) muaj burgim, brenda një periudhe prove prej dy vjetësh, 500 000 (pesëqind mijë) lekë gjobë, si dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 2 vjetësh. Në vendimin e saj, gjykata i ka ulur vetëm 2 muaj burg, ndërsa të tjerat i ka lënë sipas kërkesës së prokurorit.
#