E Diel, 1 Nëntor 2026

Pyjorët parandalojnë zjarret dhe prerjet e paligjshme të drurëve

Bulqizë

Ndërmarrja e Shërbimit Pyjor në Bulqizë ka arritur në gjashtëmujorin e parë të këtij viti rezultate pozitive në menaxhimin e fondit pyjor e kullosor. Kjo është deklarata e drejtorit të kësaj ndërmarrjeje, Bajram Sallaku, sipas të cilit kjo drejtori ka marrë të gjitha masat për parandalimin e zjarreve dhe prerjeve të paligjshme të lëndës drusore. Në bashkëpunim me strukturat e pushtetit vendor janë hartuar të gjitha programet e punës dhe planet e masave për mbrojtjen e pyjeve, parandalimin dhe menaxhimin e rënies së zjarreve. Në këtë kuadër, pranë çdo njësie vendore dhe fshati të veçantë janë ngritur skuadrat e fikjes së zjarreve për çdo rast emergjence. “Ne si ndërmarrje pyjore kemi lidhur aktmarrëveshje për ruajtjen e pyjeve nga prerjet e paligjshme me të gjitha drejtoritë pyjore kufitare si Dibra, Mati, Librazhdi dhe Tirana, si dhe komisariatet e policisë. Të gjitha këto kanë bërë që për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, numri i prerjeve të paligjshme të ketë shënuar rënie drastike krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, u shpreh drejtori i këtij shërbimi. Sipas Sallakut, në total janë kapur e proceduar gjithsej disa raste specifike, duke përfshirë këtu: një rast sekuestro lënde drusore procedimi penal, tetë raste procedimesh administrative me vlerë 1.4 milionë lekë. Sipas tij, për gjashtëmujorin e dytë të vitit, Ministria e Mjedisit ka zhbllokuar lejet e shfrytëzimit pyjor për të gjitha kontratat e prapambetura, për evadimin e materialit drusor aq të nevojshëm e të kërkuar nga banorët, për të siguruar ngrohjen gjatë periudhës së dimrit. “Gjithsesi përkundër këtyre arritjeve, problem vërtet shqetësues mbetet ai i investimeve në rehabilitimin e sipërfaqeve pyjore të prera dhe të djegura. Deri më tani janë dhënë zero lekë për investime të këtij qëllimi, në një sipërfaqe pyjore prej 36 mijë hektarësh”, sqaroi inxhinieri Shkëlqim Hasa, shef i seksionit të Administrimit të Pyjeve dhe Kullotave të kësaj ndërmarrje. Ai shtoi se të paktën në shtatë parcela me sipërfaqe prej rreth 100 hektarësh, nevojitet ndërhyrje emergjente për rigjenerimin e saj. Ndërsa nevojat reale për investime në pyllëzimin e sipërfaqeve pyjore të dëmtuara, sipas tij, mbeten tejet të mëdha, për qindra e qindra hektarë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›