E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga tre protestuesve, në kërkim pesë të tjerë

Durrës Socialistët thonë se është arrestuar edhe një grua, por policia e fsheh faktin

Janë arrestuar në flagrancë protestuesit e Partisë Socialiste për protestën e organizuar në superstradën Tiranë-Durrës. Tre nga të dyshuarit si autorë të protestës që u zhvillua në superstradën Tiranë-Durrës janë arrestuar, ndërsa policia shpall në kërkim pesë protestues të tjerë. Ndryshe nga sa iu deklarua protestuesve të mbrëmjes së të martës për lënien të lirë të të ndaluarve, ditën e mërkurë Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit bëri të ditur arrestimin në flagrancë të shtetasve Afrim Duku, 52 vjeç, Seit Xhunga, 27 vjeç dhe Erion Bregasi, 29 vjeç, të tre nga Durrësi. Ndërsa Duku është anëtar i PS-së, dy të arrestuarit e tjerë janë simpatizantë të kësaj partie. Ndaj këtyre personave është ngritur akuza e pengimit të qarkullimit të automjeteve gjatë protestës së organizuar te mbikalimi i Shkozetit në superstradë. Në kërkim për të njëjtën vepër penale janë shpallur shtetasit Llazar Mazniku, 43 vjeç dhe Ilir Ngresi, 49 vjeç nga Durrësi, Altin Baku, 23 vjeç nga Rrashbulli që e ka vëllain në grevë urie, Hekuran Shehu, 47 vjeç nga Xhafzotaj dhe Ismail Isaku 50 vjeç. Mes të shoqëruarve, anëtarë të PS-së në Durrës bëjnë të ditur për gazetën se ka qenë dhe një grua, Afërdita Koka, e cila nuk është përfshirë në deklaratën e Drejtorisë së Policisë lidhur me arrestimet për protestat e një dite më parë. Protesta është vlerësuar si një miting i paligjshëm nga policia, e cila nuk ishte njoftuar paraprakisht për zhvillimin e saj. Dega lokale e PS-së nuk ka marrë ende një vendim nëse do të protestojë ndaj arrestimeve, ndërsa ishte në pritje të lirimit të tyre.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›