E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në shtator u rritën të gjitha çmimet

Jeta ka ardhur duke u shtrenjtuar, por sidomos për familjarët që kanë fëmijët në shkolla. Fillimi i sezonit të vjeshtës, përveç ftohjes së kohës, ka sjellë edhe "të ftohtin" në buxhetet e konsumatorëve. Çmimet e të gjitha produkteve që kanë konsumuar shqiptarët në muajin shtator kanë pësuar rritje. Ky konstatim vjen pas analizës së përmuajshme që kryen Instituti i Statistikave në vendin tonë. Por në krye të listës, si produktet që kanë shënuar edhe koston më të lartë, janë klasifikuar tekstet shkollore. Rritja e çmimit të librave mësimorë për nxënësit ka qenë 73.8 për qind. "Rritja e çmimit të teksteve shkollore ka ardhur kryesisht si rezultat i uljes së masës së subvencionit nga 70 për qind që ishte në vitin 2007 në 50 për qind në vitin 2008". Kështu argumentohet shtrenjtimi i librave të shkollës nga INSTAT-i në raportin e përmuajshëm të Indeksit të Çmimeve të Konsumit. Ndërkohë që të drejtën për të përfituar nga subvencioni nuk e kanë më nxënësit e shkollave të mesme. Në këtë skemë janë përfshirë vetëm fëmijët e shkollave publike dhe private të sistemit 9-vjeçar.

Me kosto në rritje janë edhe mallrat kryesore që shqiptarët shtrojnë për çdo vakt në tryezat e ngrënies. Zarzavatet, përfshirë këtu edhe patatet, kanë një rritje të madhe çmimi me 7.1 për qind. "Indeksi i grupit ‘Ushqime dhe pije joalkoolike‘ shënoi një rritje prej 2.1 përqindësh, me një ndikim prej 0.8 përqindësh në totalin e ndryshimit mujor", thekson INSTAT në këtë raportim mujor. Ndërsa brenda këtij grupi, rritja më e madhe prej 7.2 përqindësh vërehet në nëngrupin "Zarzavate përfshirë patatet". Këtu mund të përmendim rritjen e çmimit të kastravecëve me 33.4 për qind, bamjeve me 28.7 për qind, patëllxhanëve me 22.3 për qind, domateve me 21.2 për qind, barbunjave me 11.8 për qind, etj. Përjashtim bëjnë vetëm disa lloje frutash që kanë shënuar një ulje të lehtë të çmimit prej 0.7 përqindësh. Këtu përfshihet

ulja e çmimit të rrushit me 10.2 për qind, mollëve me 3.9 për qind, bananeve me 3.2 për qind, limonëve me 2.8 për qind, etj.

Por ngushëllimi me frutat bie shpejt, kur përballesh me çmimet e rritura të mishit, bukës, qumështit, djathit, vezëve dhe vajit.

Sipas Institutit të Statistikave, gjatë muajit shtator, çmimet janë rritur pothuajse në të gjitha nëngrupet e tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të përmendim rritjet në nëngrupet, "mish" 2.9 për qind, "bukë e drithëra" 2.5 për qind, "qumësht, djathë e vezë" 1.3 për qind, "vajra dhe yndyrna" 0.9 për qind, etj.

Edhe për konsumatorët e pijeve alkoolike apo duhanit, lajmet nuk janë aspak më të mira. As këto produkte nuk i kanë shpëtuar shtrenjtimit. Vetëm çmimi i produktit duhan vlerësohet se është rritur me 2 për qind.

Më të shtrenjta kanë qenë edhe sandalet e këpucët që shqiptarët kanë blerë në muajin shtator. Po kështu, edhe veshjet që ata kanë blerë, kishin një kosto më të lartë, duke pakësuar të ardhurat mujore me shpenzime më të mëdha.

Një ulje e lehtë prej 0.5 përqindësh është vërejtur për transportin, si pasojë e rënies së çmimit të naftës me 3.3 për qind dhe benzinës me 2.8 për qind. Në këtë ritëm ka ecur edhe komunikimi "që shënoi një ulje prej 9.1 përqindësh, rënie kjo e shkaktuar kryesisht nga reduktimi i tarifave të telefonisë celulare me 13.4 për qind", raporton INSTAT-i, duke shtuar se ndryshimet në grupet e tjera variojnë me rritje çmimi nga +0.1 për qind në +0.5 për qind.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›