Uji i ndotur, kolera kërcënon Beratin
Banorët e Komunës Otllak rrezikohen nga kolera. Alarmi vjen nga Drejtoria e Higjienës në Berat, sipas së cilës, përdorimi i ujit rrezikon epideminë e kolerës. Prej më shumë se një muaji, banorët e Komunës së Otllakut konsumojnë ujë të ndotur. Rreth 2000 banorë të fshatrave Otllak e Orizaj tregojnë se uji që rrjedh nëpër çezmat e tyre është tejet i ndotur dhe ata janë të detyruar të konsumojnë për të pirë ujë të blerë. Inspektorë të Higjienës në këtë komunë e kanë çuar shqetësimin deri në drejtorinë rajonale, dhe kjo e fundit, pas analizave të përditshme, ka dalë në konkluzionin se ky ujë nuk duhet të përdoret për konsum. Çdo ditë, kampionët e ujit të kësaj zone përcillen në laboratorin qendror të higjienës dhe përgjigjja ka qenë po e njëjtë. Uji rezulton i ndotur me fekale dhe ndotje të lartë bakteriologjike. Në bazë të këtyre rezultateve, uji nuk duhet të përdoret kategorikisht, pasi përbën rrezik në përhapjen e kolerës në këtë zonë. Autoritetet po përpiqen të gjejnë se nga vjen ndotja. Ata kanë kontaktuar me drejtuesit e Ujësjellësit dhe Kanalizimeve në Berat, nga ku varet dhe furnizimi me ujë të pijshëm i kësaj zone. Ndërmarrja e Ujësjellësit në Berat konfirmon se ndotja vjen nga tubi kryesor që furnizon fshatrat Orizaj e Otllak, pasi ky është i amortizuar. Kreu i kësaj komune, Lefter Maliqi, thotë se duhet të gjendet një zgjidhje e shpejtë. Sipas tij, duhet investim për të zëvendësuar këtë tub, i cili rezulton i viteve ‘60 dhe që s‘ka parë kurrë rikonstruksion. Por gjithsesi, urdhri i Drejtorisë së Higjienës konsiston vetëm në ndërprerjen e furnizimit me ujë të kësaj zone. Me këtë urdhër, kryekomunari nuk bie dakord, pasi sipas tij, uji, megjithëse i ndotur, mund të përdoret nga banorët, jo për të pirë, por për nevoja të tjera.