E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infermieria dhe Shkencat e Natyrës, miratohen 230 Mastera të rinj

Autori i Lajmit: red.
Qeveria miratoi dje në mbledhjen e saj të radhës 230 programe të reja për studimet master në Universitetein e Tiranës. Masterat e rinj u miratuan për Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe për Fakultetin e Infermierisë.
Në të njëjtën kohë u miratuan edhe kuotat si dhe tarifat e këtyre studimeve sipas degëve përkatëse.
Kuotat
Kuota e pranimeve në këto programe, në Universitetin e Tiranës, për vitin akademik 2008-2009, është vendosur për 230 kuota. Konkretisht në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në “Teknologji informacioni” janë miratuar 230 kuota. Ndërsa në Fakultetin e Infermierisë janë miratuar gjithsej 200 kuota, në “Menaxhim infermieror” 100 kuota, në “Mami” 50 kuota dhe në “Teknik laboratori” janë miratuar 50 kuota.
Shpërndarja
Universiteti i Tiranës shpërndan kuotat e vëna në dispozicion të tij në masën jo më pak se 30 për qind, për studentët, që kanë përfunduar, të paktën, ciklin e parë të studimeve në institucionet e tjera të arsimit të lartë, dhe jo më shumë se 70 për qind, për ata, që i kanë përfunduar këto studime pranë këtij universiteti. Në rastet kur nuk ka kandidatë nga institucionet e tjera të arsimit të lartë, që plotësojnë kriteret, atëherë Universiteti i Tiranës ka të drejtë ta plotësojë kuotën e vënë në dispozicion me studentët, që janë diplomuar pranë tij. Kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve, përcaktuar nga njësitë kryesore të Universitetit të Tiranës, bëhen publike paraprakisht.
Tarifat
Tarifa vjetore e shkollimit për studentët, që do të regjistrohen me kohë të plotë, në vitin akademik 2008-2009, varion nga 55 mijë lekë të reja deri në 70 mijë lekë të reja. Konkretisht në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në “Teknologji informacioni” tarifa kushton 70 000 lekë. Në Fakultetin e Infermierisë, në “Menaxhim infermieror” tarifa kushton 55 000 lekë; në “Mami” kostoja e tarifës është 60 000 lekë ndërsa në “Teknik laboratori” tarifa kushton 60 000 lekë. Kandidatët, që u përkasin shtresave sociale, si të verbërit, të shurdhët, invalidët, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, studentët me aftësi të kufizuar, fëmijët romë apo fëmijët e policëve, të rënë a të plagosur për shkak të detyrës, të të ish-të përndjekurve politikë, që fitojnë të drejtën për të ndjekur një program studimi, master i nivelit të parë, në institucionet publike të arsimit të lartë, të paguajnë 50 për qind të tarifës së shkollimit. Në vendim theksohet gjithashtu se studenti i nënshtrohet vetëm një tarife vjetore shkollimi.Në çdo program studimi, master i nivelit të parë, me kohë të plotë, në vitin akademik 2008-2009, studentët e shkëlqyer nga cikli i parë, nuk e paguajnë tarifën e shkollimit në vitin akademik pasardhës. Kuotat e pranimeve në programet e studimit master i nivelit të parë, sipas pikës 3, të këtij vendimi, që mbeten të parealizuara, rishpërndahen, sipas institucioneve publike të arsimit të lartë dhe programeve të ndryshme të studimit, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Sipas vendimit të Këshilit të Ministrave për hapjen, në Universitetin e Tiranës, të programeve të studimit, master i nivelit të parë, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në degën “Teknologji informacioni”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë “Master i nivelit të parë”, MNP, në teknologji informacioni. Po ashtu edhe në Fakultetin e Infermierisë, në degën “Menaxhim infermieror”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë “Master i nivelit të parë”, MNP, në menaxhim infermieror. Në specialitetin “Mami”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë “Master i nivelit të parë”, MNP, për mami. Në “Teknik laboratori”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë “Master i nivelit të parë”, MNP, për teknik laboratori. Po sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, programet e studimeve, master i nivelit të parë, realizohen me 60 kredite dhe zgjatja normale e tyre është një vit.

Ky lajm është publikuar: 15/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›