Raporti, llogaritë bankare të 1.5 milionë shqiptarëve, ende të pasigurta
Ervin Koçi
Depozitat e 1.5 milionë shqiptarëve, të mbyllura në bankat private të nivelit të dytë në vend, me gjith rritjen e masave të sigurisë, përsëri mbartin probleme. Agjencia e Sigurimit të Depozitave në raportin e saj vjetor për vitin 2007, edhe pse ka paraqitur garanci për ecurinë e bankave në Shqipëri, nuk ka lënë pa përmendur problemet që kanë bankat e nivelit të dytë në vend. Në raport thuhet: “Bankat shqiptare kanë rritur nivelin e sigurimit të depozitave të klientëve të tyre dhe vetëm në dy prej tyre është vënë re një ulje e lehtë e nivelit të të siguruarit, por kjo nuk përbën shqetësim as për strukturat monitoruese, as për klientët e këtyre bankave”. Në raportin e ASD-së thuhet gjithashtu se, “88 për qind e depozitave deri në 700 mijë lekë janë të garantuara”. Ndërsa në një krahasim me vende të tjera, bëhet e ditur se sigurimi është mbi nivelet mesatare dhe totalisht i përballueshëm për çdo situatë. Raporti vijon më tej se, “pavarësisht kritikave për kredi të këqija, situata është nën kontroll. Madje, të dhënat e paraqitura flasin për rritjen e të ardhurave në sistemin bankar si pasojë e kredive për bizneset dhe individë, por dhe si pasojë e rritjes së depozitave të individëve apo dhe të vetë bankave”. Nga ana tjetër shtohet se në aktivitetin e saj, “ASD-ja nuk ka hasur në vështirësi të bankave apo në rreziqe të tjera, ku dhe pas procedurës së shitblerjes së aksioneve apo bashkimit të bankave nuk janë vërejtur vështirësi”. Sipas këtij raporti, “rritja e financave është e ndjeshme, edhe pse jo në ritmet e një viti më parë (2006)”. Për këtë vit Agjencia mësohet se do të kërkojë rindryshimin e ligjit duke vendosur detyrime të reja për bankat që operojnë në Shqipëri, apo dhe për miradministrimin e mëtejshëm të procesit.
Raporti
Në raportin e paraqitur në Kuvend, ASD-ja bën të ditur se, “tashmë janë dhënë garancitë e plota për kompensimin e gjithë individëve me depozita deri në 700 mijë lekë, në rast të ndërprerjes së licencës për ndonjë bankë”. Gjithsesi, bëhet e ditur se raporti i paraqitur nuk ka të bëjë me situatën financiare të bankave, por është një raport vjetor i cili paraqitet në Kuvendin e Shqipërisë në lidhje me ecurinë e bankave në Shqipëri, si dhe me garancinë që u jepet shqiptarëve në sigurinë e depozitimit të parave në banka, procedurë kjo që ndiqet në të gjitha vendet e botës. Sipas raportit, “viti 2007 ishte me zhvillime përgjithësisht pozitive dhe të qëndrueshme në sistemin bankar, ku në krahasim me vitin 2006 situata është shumë më e përmirësuar”. Në këtë pikë Agjencia ka tërhequr vëmendjen vetëm për dy banka, të cilat e kanë zbritur këtë siguri nën nivelin e paravendosur. Por ASD-ja siguron se “kjo nuk përbën problem, pasi situata është cilësuar e përkohshme”. Buxheti i Shtetit i ka akorduar një shumë përkatëse, e cila i shërben ASD-së si garanci për çdo situatë që mund të krijohet. Nga ana tjetër, vetë bankat, në çdo vit, si dhe në çdo krijim depozite, paguajnë një kuotë të caktuar minimale, e cila shërben dhe si rritje e buxhetit të ASD-së për të përballuar rreziqe të mundshme. Ndërkohë që në raportin e paraqitur së fundi në Parlament nuk vihet re ndonjë rrezik i mundshëm për krizë financiare.
Klientët
Në lidhje me prezencën e klientëve në banka, ASD-ja bën të ditur se në të gjitha bankat janë vendosur procedura për informimin e klientëve mbi sigurimin e depozitave. Kjo si një shenjë treguese për garancinë e lekëve që janë mbyllur në bankat e nivelit të dytë. Për vitin 2007, ASD-ja njoftoi për një rritje deri në 200 mijë të individëve që kanë depozita në banka të ndryshme, krahasuar me vitin 2006. Kështu, ndërsa një vit më parë kishim 944 mijë individë me depozita deri në 350 mijë lekë, 99 mijë me depozita deri në 700 mijë lekë dhe 158 mijë me mbi 700 mijë lekë, për vitin 2007 numri ka pësuar një rritje të ndjeshme për të tri kategoritë. Kështu, për depozitat deri në 350 mijë lekë kemi 1.268 mijë persona, për depozita deri në 700 mijë lekë numri arrin në 111 mijë individë dhe mbi 700 mijë lekë, shkon në 180 mijë individë. Në shumë totale, numri i depozitave shkon nga 1 milion e 201 mijë persona në vitin 2006, në 1 milion e 500 mijë persona për vitin 2007.
Kreditë
Gjatë vitit 2007, aktivitetet e sistemit bankar janë rritur me 118.6 miliardë lekë. Ndërsa teprica e kredisë së sistemit bankar shënoi një rritje me 47.7 për qind. Përgjithësisht Agjencia vëren qëndrueshmëri të treguesit neto të cilësisë së portofolit të kredive në 1.8 për qind nga 1.7 që ka qenë një vit më parë. Por tërhiqet vërejtje për kreditë e këqija. Dhe pse është cilësuar shqetësim “jo i konsiderueshëm”, Agjencia shton se, “kjo situatë vjen si pasojë e rritjes së shpejtë të kredive me probleme ndaj totalit të kredive”. Pikërisht mbi këtë pikë ka tërhequr vëmendjen dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Por për drejtuesit e bankave private situata është nën kontroll dhe se do të duhet që Banka e Shqipërisë të miratojë një rregullore konkrete.
Valutat
ASD bën të ditur se, “bankat e nivelit të dytë kanë rritur nivelin e sigurimit të depozitave në valutë”. Përsa i përket fondit në dispozicion të Agjencisë, bëhet e ditur se, “shuma fillestare e dhënë nga Buxheti i Shtetit ka pësuar një rritje të konsiderueshme qoftë nga sigurimet që bëjnë bankat, ashtu dhe nga rritja e fitimit mbi shumën fillestare”.
23 Prill 2008