E Shtunë, 31 Tetor 2026

Celularët: Nëse ka abuzime, do zhdëmtojmë klientët

Kompanive "AMC" dhe "Vodafone" i është kërkuar që të japin sqarime për ankesat nga Ministria e Telekomunikacionit
Ministria e Transporteve dhe e Telekomunikacionit u ka kërkuar kompanive "AMC" dhe "Vodafone", që të japin versionin e tyre në lidhje me problemet që janë hasur gjatë natës së ndërrimit të viteve, me mesazhet e dërguara nga ana e klientëve. "Kjo kërkesë vjen si pasojë e ankesave të bëra nga ana e klientëve të "AMC" dhe "Vodafone", pasi mesazhet e dërguara prej tyre janë përsëritur disa herë në të njëjtin numër, duke u shoqëruar edhe me ripagesën disa herë të tyre",- sqarohet në shkresën zyrtare të Ministrisë së Transporteve dhe Telekomunikacionit. Pas kërkesës së bërë nga ana e kësaj ministrie, ka ardhur edhe reagimi i dy kompanive që zotërojnë tregun e telefonisë celulare në vend.
Vodafone: "Do rimbursojmë, nëse ka pasur probleme"
Kompania "Vodafone Albania" do të rimbursojë të gjithë klientët, në rast se do të evidentohen SMS të ridërguara disa herë. Sipas kompanisë "Vodafone" ka nisur investigimi që në datën 1 Janar 2008, për të gjitha SMS-të e dërguara gjatë natës së Vitit të Ri dhe datës 1 Janar 2008. "Në rast se do të evidentohen SMS të ridërguara disa herë, klientët do të njoftohen dhe rimbursohen përkatësisht, siç është vepruar gjithmonë në të tilla raste",- bën të ditur kompania "Vodafone Albania".
AMC: "Nuk kemi pasur tarifime të tepërta"
Në një njoftim për mediat, kompania "AMC" ka bërë të ditur se, ka kryer kontrolle të hollësishme në rrjetin e saj dhe deklaron se nuk ka pasur asnjë problem që mund të ketë rezultuar me tarifime të tepërta të SMS-ve. Për më tepër, kompania AMC sqaron se nuk ka marrë asnjë ankesë nga abonentët e saj, përsa i përket një problemi të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›