Ja rregullorja e re e regjistrimit të bizneseve të mëdha
Tatimet: Bizneset me mbi 5 milionë lekë, do vazhdojnë ti paguajnë sigurimet pranë bashkive dhe komunave Ndryshimi i ligjit të bizneseve, i miratuar nga qeveria në fund të vitit të kaluar, ka sjellë dhe Qarkoren e re të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Kjo do të thotë që të gjithë ato biznese që parashikohet të tejkalojnë vëllimin e qarkullimit për vitin 2009 mbi 5 milionë lekë do të përfshihen në skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH). Në zbatim të këtij vendimi të Këshillit të Ministrave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nxjerrë Qarkoren numër 1 datë 24.12.2009
Për përcaktimin e procedurave për kalimin e subjekteve si subjekte të TVSH-së. Sipas kësaj Qarkore, bizneset janë ndarë në dy kategori, kategoria A, ku të gjithë ato persona fizik apo juridik, qarkullimi i të cilëve për vitin 2009 tejkalon ose parashikohet të tejkalojë 8 milion lekë, për këtë vit kalendarik, janë të detyruar të kërkojnë të regjistrohen për TVSH-në që nga 1 janari i vitit 2010, deri në15 janar të këtij viti. Me anë të këtij regjistrimi, këta tatimpagues për vitin 2010 e në vazhdim do të paguajnë TVSH, Tatim Fitimi, Sigurime shoqërore e shëndetësore dhe TAP (sipas rastit). Për kontributet e sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe TAP detyrimi për deklarim për këta tatimpagues nuk do jetë një herë në tre muaj, por muaj për muaj sipas afateve të përcaktuar në legjislacionin fiskal ekzistues. Ndërsa në kategorinë B, përfshihen të gjithë ato persona fizik apo juridik, qarkullimi i të cilëve për vitin 2009 tejkalon ose parashikohet të tejkalojë 5 milion lekë për këtë vit kalendarik, janë të detyruar të kërkojnë të regjistrohen për TVSH-në që nga 1 janari i vitit 2010 deri në 15 janar të këtij viti. Me anë të këtij regjistrimi këta tatimpagues për vitin 2010 do të paguajnë TVSH deklarimi i të cilit do të jetë për çdo muaj, dhe do të vazhdojnë të jenë subjekt i Tatimit mbi të Ardhurat Personale për biznesin e vogël, taksës vendore pranë Bashkive apo Komunave dhe për kontributet e Sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe TAP afatet e deklarimit të të cilave do të jenë çdo tre muaj, pra ashtu siç ka qenë me parë. DPT bën të ditur se aplikimi në mënyrë korrekte i kësaj Qarkore kërkon që subjektet të cilat i përkasin këtyre kategorive të aplikojnë për ndryshimin e përgjegjësisë tatimore pranë Drejtorive Rajonale Tatimore brenda periudhës 1-15 janar të vitit 2010. DPT thekson se aplikimi për ndryshimin e përgjegjësisë tatimore, nuk kërkon që të ndryshohet NIPT-i. Pra subjektet do të vazhdojnë të kenë të njëjtin NIPT. Në qarkore thuhet se të gjithë personat juridik dhe fizik duhet të pajisen me faturë tatimore me TVSH pranë Drejtorive Rajonale Tatimore në momentin e regjistrimit si tatimpagues të TVSH-së dhe duhet të lëshojnë faturë me TVSH apo të llogarisin TVSH mbi furnizimet e tyre që nga momenti i regjistrimit për TVSH-në. Deklarimi i parë për TVSH-në, për tatimpaguesit e regjistruar në janar të vitit 2010 do të jetë në 1-14 shkurt të këtij viti. Gjithashtu në Qarkore huhet se tatimpaguesit duhet të mbajnë librat e blerjes dhe shitjes për TVSH-në sipas kërkesave të legjislacionit tatimor ekzistues. Duhet të pajisen me Kasa Fiskale brenda 15 ditëve nga momenti i regjistrimit apo i ndryshimit të përgjegjësisë tatimore. Deri në datën e ndryshimit të përgjegjësisë tatimore subjektet e të dy kategorive për shitjet që do realizojnë, do të vazhdojnë të lëshojnë fatura të biznesit të vogël (pa TVSH). Pra nëse regjistrimi kryhet në datën 10 janar 2010, deri në këtë moment këto subjekte do përdorin të njëjtat fatura tatimore si më parë. Që nga ky moment subjekti do të lëshojë faturë tatimore me TVSH dhe do të ketë të drejtë të kreditojë TVSH-në e paguar në blerje të kryera pas kësaj date për aktivitetin e këtij biznesi, thuhej në Qarkoren e DPT.
Last Updated on E Premte, 08 Janar 2010 21:42