Inflacioni shkon në 3,5%, kalon mbi objektivin e Bankës së ShqipërisëNga TemaPrirja e muajve tetor dhe nëntor është thelluar në dhjetor në lidhje me inflacionin dhe me nivelin e çmimeve në treg. Të dhëna zyrtare bënë me dije se inflacioni në dhjetor
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Inflacioni shkon në 3,5%, kalon mbi objektivin e Bankës së ShqipërisëNga TemaPrirja e muajve tetor dhe nëntor është thelluar në dhjetor në lidhje me inflacionin dhe me nivelin e çmimeve në treg. Të dhëna zyrtare bënë me dije se inflacioni në dhjetor u rrit për herë të parë sipër vlerës prej 3,5%, duke kapur vlerën më të lartë të gjithë viteve të fundit. Instituti i Statistikave bëri të ditur se inflacioni në muajin dhjetor bëri që konsumatorët shqiptarë të përballen me çmime më të larta, sidomos ato të produkteve ushqimore dhe të frutave e perimeve. Raportimi i INSTAT për inflacionin e rritur në dhjetor është një prej lajmeve të këqija për ekonominë shqiptare dhe për koston e jetës në vend. Ky nivel inflacioni përtej 3,5% është në kufirin e parashikuar nga Banka e Shqipërisë dhe nuk mund të quhet i lartë, por ai po shkon drejt pikave ku Banka e Shqipërisë e quan atë të pakontrollueshëm. Veç kësaj, ai po shfaq prirje rritëse nga muaji në muaj, çka do të thotë se ekonomia është në vështirësi dhe nuk mundet të përballojë trysninë e çmimeve, por edhe peshën e euros, e cila ndikon te niveli i çmimeve. Banka e Shqipërisë gjithherë i është trembur nivelit të inflacionit, dhe për këtë qëllim ajo ka ndjekur politika mjaft të kujdesshme, duke mbajtur të lartë normën e interesit të depozitave, në mënyrë që paraja të mos ketë prirje të madhe të dalë jashtë bankave dhe të përdoret në ekonomi. Niveli, në të cilin Banka e Shqipërisë e quan të kontrollueshëm inflacionin, është 2 deri në 4%, por ajo ka si objektiv mbajtjen e inflacionit poshtë kufirit 3%. Aktiviteti tregtar në vend ka rënë dhe kjo dëshmohej edhe nga shifrat e fundit mbi eksportet, të cilat kanë rënë. Edhe importet kanë rënë. Politikat monetare nuk kanë ndikuar në rritjen e inflacionit, pasi nuk ka pasur ulje të normës së interesit e as rritje të sasive të kredive që kanë shkuar për ekonominë, përkundrazi kreditë kanë rënë. Edhe politikat fiskale nuk janë përqendruar te shpenzimet e mëdha publike këto kohë e sidomos në fund të vitit të kaluar. Ka shumë mundësi që inflacioni të jetë ndikuar edhe nga rritja e zakonshme e çmimeve pranë festave, por megjithatë prirja e tij rritëse është shfaqur edhe më parë. Do të jetë shumë e vështirë për ekonominë në këtë fillim viti të përballet me disa problem të mëdha që e kanë ngadalësuar atë së tepërmi, dhe kanë bërë që edhe buxheti i shtetit të vihet në vështirësi për shkak të mosrealizimeve. Inflacioni është një problem, pasi veç goditjes që do t’i japë shpenzimeve të konsumatorëve, ai do të ndikojë edhe te konsumi dhe te shitjet me pakicë, gjë që do të ndikojë të gjithë ekonominë. Niveli i çmimeve të shtrenjta duket se do të mbetet edhe gjatë muajit janar, pasi në këtë periudhë ka nisur edhe aplikimi i tarifave të rritura të energjisë elektrike. Tarifat e reja pritet të ndikojnë negativisht në ekonomi, pasi rriten kostot e produkteve dhe shërbimeve.