Të dielën, në orën 09:15Nga Enver RobelliRyshfet live në Kosovë. Ose: Pse sjelljet e disa doganierëve kosovarë nganjëherë të kujtojnë Serbinë e viteve ‘90? 1. Dhurata te Dheu i Bardhë Në çdo pikë kufitare në shtetet e Ballkanit udhëtarët mund t
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Të dielën, në orën 09:15Nga Enver RobelliRyshfet live në Kosovë. Ose: Pse sjelljet e disa doganierëve kosovarë nganjëherë të kujtojnë Serbinë e viteve ‘90?
1. Dhurata te Dheu i Bardhë
Në çdo pikë kufitare në shtetet e Ballkanit udhëtarët mund të shohin posterë dimensionesh të ndryshme dhe me dizajn të llojllojshëm, por me një porosi: Qytetarë të nderuar, denonconi korrupsionin! Zakonisht bashkë me këtë mesazh shënohet edhe një numër telefoni, ku mund të thirrni për të lajmëruar korrupsionin, ryshfetdhënien, keqpërdorimet dhe deliktet e tjera në pikat doganore. Edhe Kosova është pjesë e Ballkanit, edhe në pikat kufitare të këtij shteti të ri shpesh mund të shihen posterë me thirrje për luftë kundër korrupsionit. Përmes këtyre porosive synohet të trimërohen qytetarët për të denoncuar doganierët që marrin ryshfet apo dhurata. Por, mes mesazhit në letër dhe realitetit është një hendek i madh. Ky hendek shihej të dielën, më 3 janar 2010, në orën 09:15 në pikën kufitare Dheu i Bardhë, në rrugën Gjilan-Bujanovc.
Nga drejtimi i Bujanovcit erdhi një veturë (BMW ngjyrë hiri, me targa të Gjermanisë). Shoferi dhe bashkudhëtari u ndalën para doganierëve, zhvilluan një bisedë ndoshta prej pesë minutash, pastaj doganierët u futën në barakën e tyre. Në këtë çast nga vetura ngjyrë hiri doli bashkudhëtari, i cili përpiqej të mbante fshehur diçka pas shpine. Me gjasë fjala ishte për cigare ose parfume. Sidoqoftë, prej distancës jo aq të largët shihej mirë se bashkudhëtari po u jepte diçka doganierëve - nuk ka lidhje nëse ishin cigare, parfume apo çokollata. Këtë mall ai e vendosi në një lloj tavoline para barakës së doganierëve dhe me shpejtësi u fut në veturën për të vazhduar rrugën drejt Kosovës.
2. Aroma e mjaltit
Kjo sekuencë çdokujt që udhëton nëpër Ballkan i kujton Serbinë e viteve ‘90, atëherë kur në këtë vend sundonin Sllobodan Millosheviçi, i biri i tij, Marko Millosheviçi dhe shefi i doganave Mihal Kertes. Atëbotë policët kufitarë ose doganierët e Serbisë, duke kontrolluar pasaportën, pyesnin: “Znaš da kažeš - č?” (A di të thuash - ç?).
Udhëtari përgjigjej: “Da” (“Po”).
Atëherë doganieri/polici me cinizëm thoshte:
“Dobro, onda idi i kupi jedan Chivas” (“Mirë, atëherë shko blej një Chivas”).
Chivas është një markë e njohur e whiskey (uiskit) nga Skocia. Para se të nxirret në shitje kjo pije alkoolike, mbahet së paku 12 vjet në bodrum. Njohësit e uiskit e çmojnë sidomos aromën e mjaltit dhe shijen e butë të Chivas-it. Ka edhe lloje të tjera të Chivasit, për shembull Chivas Regal Gold Signature (duhet të mbahet së paku 18 vjet në bodrum), dhe Chivas Regal 25 Year Old, një shishe e të cilit kushton 220 euro. Në vitet ‘90 policët serbë mund të fajësoheshin për shumë idiotësi, por jo edhe për mosnjohje të markave të uiskit dhe konjakut. Secili kosovar që në vitet ‘90 është detyruar t’u japë ryshfet policëve serbë, ka arsye të zemërohet kur sot sheh skena pak a shumë të njëjta në pikat doganore të Kosovës.
3. Dyqanet e Marko Millosheviçit
Në vitet ‘90 Chivasi për policin ose doganierin serb blihej nëpër Duty-Free-Shop-ët e kontrolluar nga Marko Millosheviçi. Shpesh bënte vaki që polici të mos ishte i kënaqur me madhësinë e shishes, sidomos atëherë kur udhëtari blinte shishen më të vogël me Chivas (çmimi në pikën kufitare Kelebija - mes Serbisë dhe Hungarisë - atëbotë sillej prej 14 deri në 16 marka gjermane). Shpesh Chivasi duhej të shoqërohej me cigare dhe çokollata. Pastaj udhëtari - i lehtësuar shpirtërisht dhe financiarisht - mund të vazhdonte rrugëtimin drejt Perëndimit. Sjelljet e policëve serbë atëbotë kishin krijuar imazhin e Serbisë si shtet i korruptuar. Kundër këtij imazhi Serbia është duke luftuar edhe sot. Jo pa sukses. Në pikat kufitare të këtij shteti ka rënë dukshëm niveli i ryshfetdhënies dhe është shtuar mirësjellja zyrtare.
4. Imazhi i keq
Në rrugëtimin drejt Evropës edhe Kosova duhet të punojë më shumë për përmirësimin e imazhit. Imazhi i tanishëm është i keq. Kosova konsiderohet si vend pa rregulla, me nivel të lartë të korrupsionit dhe pa gjyqësi të pavarur. Këtë imazh nuk e ndryshojnë posterët e kompanisë Saatchi & Saatchi, në të cilët disa kosovarë prezantohen si evropianë të rinj. Mbetet vetëm pyetja: Pse këta posterë janë vendosur në Kosovë, në vend që të vendoseshin nëpër botë? Në Zagreb apo në Cyrih nuk është parë asnjë poster i tillë. Mendja e shëndoshë thotë se këtu kemi të bëjmë me kamuflim të një keqpërdorimi të parasë publike nga ana e qeverisë apo segmenteve të saj. Imazhin e keq të Kosovës e ndryshon polici dhe doganieri në kufi, i cili nuk merr as ryshfet, as dhurata, madje e denoncon atë që ofron diçka të tillë. Gjithsesi në Kosovë ka krime më të mëdha ekonomike se dhuratat për doganierët te Dheu i Bardhë. Por, e keqja fillon me çokollata për doganierë dhe përfundon me kurdisje tenderësh. Prandaj, drejtori i doganave të Kosovës, Naim Huruglica, për punën e të cilit ekspertët ndërkombëtarë kanë fjalë të mira, do duhej të interesohej se cilët doganierë kanë qenë në punë të dielën, më 3 janar 2010, në pikën kufitare Dheu i Bardhë.