E Shtunë, 31 Tetor 2026

Influencë për gazsjellësin Trans-Adriatik

11/03/2009  Kryeministri Sali Berisha merr premtime për investime nga Katari

Emiri i Katarit, sheik Hamad bin Khalifa Al Thani shpreh interes për çka ofron Shqipëria

Katari do të influencojë që gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP) të kalojë përmes Shqipërisë, çka do të sillte përfitime të mëdha për vendin tonë. Kryeministri Sali Berisha dhe homologu i tij i Katarit, sheiku Hamad bin Jassem bin Jabr Al Thani, u ndalën gjatë takimit të djeshëm veçanërisht në projektin e madh të gazsjellësit dhe projekte të shfrytëzimit të gazit të lëngshëm dhe depozitave të gazit në Shqipëri. Në këtë aspekt kryeministri i Katarit tha se do të nxiste dhe organizonte takime konkrete për këtë projekt madhor dhe projektet e tjera të shfrytëzimit të gazit në Shqipëri. Gjatë këtij takimi shefi i ekzekutivit shqiptar e njohu kryeministrin e Katarit me ecurinë e reformave në vend, si: vendosjen e barrës fiskale më të ulët në Europë, vendosjen e sistemit të prokurimeve elektronike, taksat on-line, investimet e mëdha të qeverisë shqiptare në infrastrukturë, duke përcaktuar 32 për qind të buxhetit të vitit të kaluar në këtë funksion. “Biznesmenët e Katarit janë të mirëpritur të investojnë në Shqipëri dhe kanë mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare, në mënyrë që investimi i tyre të jetë një histori suksesi”, - ka deklaruar Berisha. Kryeministri i Katarit sheik Hamad bin Jassem bin Jabr Al Thani vlerësoi arritjet e qeverisë së Kryeministrit Berisha. “Dua t’ju përgëzoj personalisht, sepse jam në dijeni të angazhimit që keni ndërmarrë ju dhe qeveria që ju drejtoni për investimin e madh të buxhetit tuaj në infrastrukturë, pasi infrastruktura është baza më e mirë për çdo zhvillim tjetër”, - tha kryeministri i Katarit. Kreu i qeverisë shqiptare ka zhvilluar një takim të veçantë edhe me Emirin e Katarit sheik Hamad bin Khalifa Al Thani. Ai u shpreh shumë i interesuar për mundësitë që ofron Shqipëria për afrimin e kompanive të mëdha të Katarit dhe se do të angazhohej personalisht në suksesin e këtyre kompanive. Emiri u shpreh se komuniteti i biznesit kishte shprehur interes të veçantë për turizmin, duke qenë se 30% e popullsisë së Katarit gjatë gjithë vitit e shfrytëzonte shumë atë. Gjatë takimit u diskutua edhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës, për të cilën Kryeministri Berisha u shpreh se 55 vende e kanë njohur atë dhe do të ketë një vazhdimësi njohjesh nga vende mike. Emiri sheik Hamad bin Khalifa Al Thani tha se ishte duke e vlerësuar me shumë seriozitet kërkesën për njohjen e Kosovës. Kryeministri Berisha ka dhënë një intervistë për kanalin televiziv arab Al Zhazira, ku theksoi rëndësinë e njohjes së Kosovës nga vendet arabe. “Njohja e pavarësisë është me rëndësi fondamentale nga kombet arabe dhe vendet anëtare të konferencës islamike. Të gjitha këto vende mike në vitin 1994 votuan rezolutën e Kombeve të Bashkuara ku kërkohej zgjidhja e çështjes së Kosovës. Që nga shkurti i vitit të kaluar Kosova është njohur nga 55 vende askush prej tyre nuk e ka njohur Kosovën për të shpërblyer shqiptarët apo për të ndëshkuar serbët, për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin në rajon”, deklaroi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›