E Diel, 1 Nëntor 2026

Në kërkim të jetës, por duhen vetëm 9 mijë euro

11/03/2009  Zëmblak, në shtëpinë e Aleko Hysajt, i cili ka vetëm pak kohë për të kryer një operim

KORÇE- Udhëtimi drejt fshatit Zëmblak të Korçës nuk kishte asgjë interesante. Askush nuk vështronte jashtë dritareve të automjetit për të parë nëse kishte ardhur pranvera ose jo. Njerëzit e mediave që po udhëtonin për atje, flisnin vetëm për 36-vjeçarin Aleko Hysaj. Ai mbeti i dëmtuar rëndë në një aksident rrugor dy vjet më parë. Tashmë ai gjendet mes pragut që ndan jetën me vdekjen. Aktualisht nuk flitet më për dyshime. Vdekja ka hyrë në trupin e tij dhe i ka rrëmbyer një këmbë, ndërsa vazhdon të kërkojë ngultas jetën e tij. Aleko Hysaj është i martuar dhe ka dy fëmijë. Jeta e tij varet vetëm nga një operacion që kushton 9 mijë euro, por familja Hysaj nuk ka qoftë edhe një qindarkë të vetme. Gjithçka që kishin patur, për dy vjet me radhë i shpenzuan nëpër spitale, por pa mundur të shkonin drejt operimit të duhur. Tashmë, ndërsa ditët kalojnë, 36-vjeçari Hysaj ndodhet më pranë me vdekjen se sa me jetën. Afatet e jetës së tij po shkurtohen nga dita në ditë, në mënyrën më tragjike të mundshme. Deri në fund të marsit, Hysaj duhet të jetë i operuar, në të kundërt… nuk dihet qartë se çfarë do të ndodhë me të. Jeta e tij mbetet tejet e rrezikuar, peng i 9.000 eurove. Ishte kjo arsyeja, që edhe pa mbërritur në fshatin Zëmblak, në përfytyrimet tona shfaqej një djalë i ri që kërkonte ndihmë për jetën, shfaqej familja e tij që vuante pamundësinë për ta ndihmuar, shfaqeshin fëmijët e tij që i luteshin zotit, që babanë ta kishin të gjallë e të mos mbeteshin jetim. Ajo çka ishte përfytyruar nga ana jonë nuk kishte qenë kurrsesi e plotë. Askush nuk mundet të përfytyrojë gjendjen e tyre më shumë se tragjike, ku mungesa e 9.000 eurove është kthyer në lot, vaj dhe lutje të pafund.

Mbërritja në Zëmblak

Vetëm disa minuta më vonë kishim mbërritur në Zëmblak të Korçës, në fshatin e Aleko Hysaj. Gjithçka ishte organizuar nga prefektja e qarkut Korçë, prof. dr. Elfrida Zefi. Familjes Hysaj i ishte çelur një numër llogarie, me një shumë simbolike, ndërsa do të kërkohej ndihma e gjithkujt që do të kishte mundësi dhe dëshironte të ndihmonte për jetën e 36-vjeçarit, babanë e dy fëmijëve. Pak a shumë dinim vetëm kaq, dinim numrin e llogarisë (00019478AP), ne dinim që llogaria ishte çelur në emër të çiftit Hysaj, por kur mbërritën në familjen e tij Alekon e gjetëm të shtrirë në shtrat. Na jepte dorën dhe përpiqej të buzëqeshte. Bënte të ngrihej, por nuk kishte asnjë mundësi. Trishtimi i rrinte fshehur te sytë e tij, ndoshta që të mos e kuptonin fëmijët që ai nuk ishte i gëzuar. Dy fëmijët e vegjël, Anisa 5 vjeç dhe Arditi 12 vjeç, i rrinin te koka. Nga sytë e tyre rrëshqisnin vetëm lot. Kishin dëgjuar që në shtëpinë e tyre do të vinte prefektja e qarkut Korçë, e cila do të merrte me vete Kryqin e Kuq dhe mediat edhe njerëz të tjerë dhe prisnin nga çasti në çast se çfarë lajmi do t’u sillnin. Vetëdija e tyre se dikush do t’i ndihmonte i kishte bërë të shpërthenin në lot, sepse shpirti i tyre i mundur prej 2 vjetësh kishte filluar të shkrihej nga një ndjenjë shpëtimi. Nuk mund të thuhet se gjendej më e qetë bashkëshortja e Alekos, Suela. Në përpjekje për të përmbajtur veten dhe në pamundësinë për të mos shprehur trishtim, erdhi një çast që edhe ajo grua ra mbi shtratin e të shoqit me lotët më të dhimbshëm.

Historia e Aleko Hysajt

Aleko Hysaj kishte kohë që punonte në Greqi si emigrant i rregullt, por ndërsa i ishte dashur të kthehej në fshatin Zëmblak për të parë fëmijët, ndodhi aksidenti automobilistik. Diku në afërsi të Pogradecit një maune kishte goditur automjetin, me të cilin po udhëtonte Hysaj. Drejtuesi i automjetit ishte ndarë nga jeta që në momentin e parë, ndërsa Alekoja, kishte mbetur i plagosur rëndë. Këmba e tij ishte ndarë nga pjesa e sipërme e trupit. Që nga ai çast, për dy vjet me radhë iu desh të shpenzonte nëpër spitale, por pamundësia ekonomike nuk ia dha asnjëherë mundësinë për të bërë operimin e kërkuar. Tashmë garant kanë dalë mjekët e një spitali në Greqi. Nëse do të operohet brenda afateve të përcaktuara nga vetë ata, gjithçka do të shkojë mirë, në të kundërt këmba e tij e sëmurë do të përcjellë vdekjen edhe në pjesë të tjera të trupit.

Ndihma për familjen Hysaj

Mes dhimbjes dhe shpresës së dy

fëmijëve për të pasur babanë gjallë

Ato çaste, në të cilat u gjendëm në atë familje ishin vërtet të papërballueshme. Gjithkush vështronte një 36-vjeçar që luftonte me vdekjen. Ndoshta gjendja do të ishte bërë edhe me trishtuese, por atë çast prefektja e qarkut Korçë, prof, dr. Elfrida Zefi, mori dy fëmijët pranë vetes dhe nisi t’u tregonte. “Babai juaj do të shërohet”, u tha ajo. “Ne po bëjmë të gjithë përpjekjet. Sot u kemi sjellë një numër llogarie ( 00019478AP), por nuk është thjeshtë vetëm një numër llogarie. Brenda këtij numri ka një shumë parash, nesër do të ketë edhe më shumë. U kemi sjellë, veshje, ushqime, detergjent, pajisje shtëpiake etj. Veç kësaj do të paguajmë çdo shpenzim që do t’u nevojitet për shkollimin tuaj, për librat, fletoret etj. Ndihma do të jetë e vazhdueshme. Që të gjithë kanë ardhur për ju, që babai juaj të operohet e të bëhet ashtu siç ka qenë edhe më parë. Babai juaj do të shërohet, sepse ne kemi komunikuar edhe me mjekët e spitalit dhe kemi mësuar që pas operimit gjithçka do të ndryshojë për mirë”. Ndërsa prefektja Zefi tregonte për gjithçka që po i afrohej asaj familje, dy fëmijët e vegjël, Anisa dhe Arditi, vështruan në sy njëri-tjetrin dhe befas, në sytë e tyre çeli një buzëqeshje, që rrallë ka rastin njeriu ta shikojë atë çast. Të jepnin të kuptoje se në ato fragmente kohore ata ishin fëmijët më të lumtur të botës. Babai i tyre do të ishte gjallë. Sigurisht pjesa më e padukshme ishte ajo e 9 mijë eurove. Llogaria ishte dorëzuar me një shumë parash, të mbledhura me kontribut vullnetar nga institucioni i prefektit, komuna Drenovë dhe komuna qendër Bulgarec, por ende duhen kontribute të tjera që shuma të shkojë në 9 mijë euro. Këtë e kuptonin edhe dy fëmijët e vegjël, Anisa dhe Arditi, edhe nëna e tyre, Suela Hysaj, ndaj mes lotëve u kërkonin të gjithëve, kujtdo që mundej dhe kishte dëshirë të ndihmonte babanë e tyre, që ai të jetonte dhe të rriste dy fëmijët e vet. Ata ndoshta nuk e dinë, por deri në fund të marsit ai duhet të ketë grumbulluar gjithë shumën e kërkuan nga spitali grek, ku do të bëhet operimi. Mjekët e vendit fqinj kanë dhënë çdo garanci, për rikthimin e tij në jetë, por janë vetëm 20 ditë në dispozicion të Hysajt. Nëse nuk do të ndodhë kështu atëherë…. për gjithkënd që ka patur mundësinë e ndihmës do të vlejë vetëm pendimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›