Infrastruktura, Olldashi: Rama nuk është në metro

Sokol Olldashi / Foto arkiv
Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, ka reaguar në lidhje me fjalën e djeshme të kreut të PS gjatë tryezës së opozitës për infrastrukturës.
Olldashi tha se Rama nuk është në metro duke i cilësuar deklaratat e tij si mashtrim publik. Ai theksoi se infrastruktura është përmirësuar rrënjësisht që nga viti 2005. Janë ndërtuar 9103 kilometra rrugë. Janë investuar mbi 4 miliardë dollar vetëm për rrugët, tha Olldashi.
Ish-rivali humbës i Ramës në zgjedhjet lokale të 2007-s u shpreh se siguria në rrugë është përmirësuar ndjeshëm dhe Rama nuk duhet ti referohet numrit të të vdekurve në aksident brenda një viti, por duhet tu referohet statistikave për numër përdoruesisht rruge.
Tipologjia e rrugëve përcaktohet qartë në kodin rrugor. Ne kemi gjetur 0 statstika për sigurinë në rrugë në vitin 2005. Kemi financuar black spot-et, të cilat Rama i kishte dje në dorë dhe njihen ndryshe si zonat e rrezikut. Kemi eliminuar deri tani rreth 50 për qind të tyre. 9.5 milionë dollar janë investuar për sigurinë rrugore. Parashikohen që në 20 vjet numri i aksidenteve të reduktohet në mënyrë drastike, tha Olldashi.
Gjithashtu, sipas tij janë rritur me 50 për qind fondet e mirëmbajtjes së rrugëve.
Olldashi zgjodhi të citonte Kafkën në fund të deklaratës së tij. Udha është e pafund, as mund ti heqësh e as mund ti shtosh gjë, por secili e mat me metrin e tij, tha ai duke e mbyllur me shprehjen e Jovan Bregut te Pallati 176: Rama nuk është në metro.
Rama: Qindra persona humbin jetën çdo vit, për shkak të rrugëve PS ka mbledhur dje tryezën për infrastrukturën në kuadër të programit Për një rilindje shqiptare. Kreu i PS-së u shpreh se infrastruktura, pavarësisht se mbetet një ndër sektorët ku është investuar më shumë, ka një hartë tërësisht të çoroditur dhe që ka sjellë dëme të jashtëzakonshme në mjedisin rural e pengesa të panumërta të ngritura për zhvillimin social në tërësi.350 persona vdesin në vit në rrugët e Shqipërisë! Bilanc lufte, kryesisht për shkak të mungesës së standardeve të rrugëve. Në 100-vjetorin e pavarësisë shqiptaret do shkojnë tek Sheshi i Flamurit përmes një rruge të ndërtuar nga austriaket në Luftën I Botërore!
Nëse ka një aspekt ku qeveria ka kryer volum, është ai i parave të investuara në rrugë, po ky është gjithashtu aspekti ku paaftësia dhe shpërdorimi janë ulëritëse. Impakti afatgjatë i investimeve në rrugët në ekonomi është tërësisht i dyshimtë dhe shkatërrues. Nëse sot ne numërojmë akse rrugore të ndërtuara apo të rindërtuara, po aq kemi dëme të jashtëzakonshme në mjedisin rural dhe pengesa të panumërta të ngritura për zhvillimin social.
Sipas Ramës, investimeve në infrastrukturë u mungon tërësisht transparenca, si në aspektin financiar, edhe hartimin e tyre.
9 mijë km e kryeministrit në rastin më të mirë janë 1300 km dhe në më të keqin 400 km. Jetojmë në një shtet pa inventar, një shtet që nuk tregon dot një hartë masterplani dhe që nuk tregon dot se sa km rrugë ka bërë me paratë e taksapaguesve. Nuk gjendet një referencë për këtë, tha Rama.
Kreu i PS theksoi se plani për infrastrukturën, i cili do të studiohet në mënyrë të detajuar nga grupi i punës, do të ketë si objektiv krijimin e një rrjeti të unifikuar të transportit bazuar mbi një plan të përgjithshëm kombëtar.
Një rrjet i unifikuar i transportit që të shërbejë si enë komunikimi për shpërndarjen e njëtrajtshme të shërbimeve dhe tregjeve. Vetëm kështu mund të shpërndajmë trafikun dhe të ulim numrin e aksidenteve e nivelin e ndotjes, tha ai.
Gjithashtu, Rama u ndal në rëndësinë e zhvillimit të transportit detar, një sektor që nuk është shfrytëzuar sa duhet sipas tij.
Të integrojmë detin në ekonomi, ky potencial i jashtëzakonshëm u është mohuar shqiptarëve. Mesdheu po bëhet urë lidhëse mes Europës dhe Azisë. Në dimensionin e saj modest, Shqipëria ka një rol për të luajtur në ekonominë e detit, tha ai. / G.N.