E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjedisi e dixhitalizimi, Berisha ultimatum Prefektëve

Kryeministri Berisha ka mbledhur sot në një takim, në kryeministri, Prefektet e vendit dhe Kryetarët e Qarqeve. Në fillim të fjalës së tij, kryeministri Berisha është ndalur në nismën e rëndësishme të qeverisë për Shqipërinë Dixhitale. Duke e cilësuar këtë nismë si jetike për vendin, kryeministri Berisha ka kërkuar angazhimin total të vendorëve për bashkëpunimin në këtë drejtim ndërsa kërkoi nga ata hapjen e zyrave me internet falas, shërbim ky që do të sigurohet nga Posta Shqiptare.
 

“Bëni gjithçka për të gjetur ambiente, shkollë, zyrë, aty ku është qeverisja vendore apo diku tjetër. Posta Qendrore e vendit do t’i ekipojë ato me cdo gjë dhe do të ketë internet me bandë të gjerë falas për cdo përdorues. Në një rreze të caktuar do mund të marrin falas të gjithë banorët e asaj zone ku kapin antenat. Për dy muaj në cdo fshat, komunë e kudo ku nuk ka zyrë poste afër të krijojmë këtë 100 vjetor dhe 1200 zyra të tjera interneti falas” shtoi Berisha.
 

Gjithashtu ai theksoi se qeveria është zotuar që 100-vjetori do të jetë edhe ai i Shqipërisë dixhitale ndërsa shtoi se do të vazhdohet me agresivitet të madh  me politikat që lejojnë konsolidimin e përdorimit më të gjerë të internetit nga shqiptarët
 

Ai ka theksuar se interneti  nuk duhet të  jetë më "mollë e ndaluar" për shqiptarët pasi sipas tij  çmimet aktuale me të cilat operatorët u ofrojnë shqiptarëve internetit janë jashtë çdo standarti dhe kostoje. "Por, qeveria duke respektuar tregun dhe lirinë e tij po merr masat që t`ju ofrojë qytetarëve internet falas ose me çmimin më të ulët që eksizton" ka shtuar Berisha.


Kryeministri Berisha ka ritheksuar edhe njëherë se plehrat dhe mjedisi i ndotuar mbetet një problem madhor për vendin. Duke iu drejtuar vendorëve, kreu i qeverisë kërkoi seriozitet në trajtimin e këtij problemi pasi sipas tij zgjidhja e tij ka impakt të drejtëpërdrejt në shëndetin e qytetarëve më shumë se çdo gjë tjetër si dhe në imazhin e vendit tonë.

Kryeministri Berisha ka kërkuar gjithashtu nga vendorët zbatim të rreptë të ligjit për ndotësit e mjedisit dhe rigorozitet në hedhjen e mbeturinave. “Përcaktoni me përparësi vendndodhjet ku do hidhen mbetjet, nuk ka pamje më të shëmtuar që mund të krijojë kryetari i bashkisë që lejon hedhjen e mbetjeve në rrugën kombëtare që të sjell drejt qytetit. Në bashkëpunim me ministrinë e Mjedisit dhe Ministrinë e Punëve Publike përcaktoni zonën e hedhjes së plehrave për cdo komunë. Do bëjmë gjithçka për ladfillet ose impiantet e djegies së tyre. Krimet e mjedisit janë krime të rënda dhe ju duhet të jeni të parët që do të zbatoni ligjin, duhet të procedoni ndotësit, të çoni për ndjekje penale ndotësit " ka theksuar më tej Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›