E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Infrastruktura do të kompletohet me përfundimin e Rrugës së Arbrit”

29/04/2011  Kryeministri Berisha takime elektorale në Peshkopi dhe Bulqizë

Kryeministri Berisha vijoi takimet elektorale në Peshkopi, ku paraqiti alternativën për qytetarin dhe shprehu mbështetjen për kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Ilir Krosi. Ai i garantoi qytetarët e Dibrës se do të mbështetë çdo projekt për zhvillimin e Dibrës, e cila po shndërrohet në epiqendër të fuqishme të zhvillimit rajonal. Në katër vitet e ardhshme do të rriten investimet për Dibrën, do të kompletohet infrastruktura me përfundimin e Rrugës së Arbrit, asfaltimin e të gjitha rrugëve të qytetit dhe komunave të saj, ndërtimin e rrugës që lidh qytetin me Rrugën e Arbrit, lidhjen e komunave të rrethit të Dibrës me akset kombëtare, përfundimin e ujësjellësit të Sopikut. “Ne jemi njerëz të mundit, të djersës, të përkushtimit, jemi njerëzit e besimit, por mbi të gjitha ne jemi njerëzit e guximit. Ne guxojmë, dhe pikërisht se guxojmë, ne shndërrojmë ëndrrat tona në realitet dhe do t’i shndërrojmë ato që të gjitha. Shumë e shpejtë do të jetë dita kur Shqipëria të renditet në grupin e vendeve me industri të zhvilluar, kur Shqipëria të renditet në një nga vendet me arsimin më të zhvilluar”, tha kryeministri. Dje kryeministri ishte edhe në Bulqizë, për të mbështetur kandidatin për kryetar bashkie të “Aleancës për Qytetarin”, Roland Keta. Duke e cilësuar Rrugën e Arbrit, si Rrugën e dytë të Kombit, kryeministri u shpreh se krahas kësaj do të vazhdojë ndërtimi i unazës verilindore dhe juglindore të vendit. Ai garantoi gjithashtu se qeveria do t’i japë për administrim pushtetit vendor rentën e kromit, dhe kërkoi nga kryetari i ardhshëm i bashkisë t’i përkushtohet tërësisht minatorëve, për përmirësimin e cilësisë së tyre të jetesës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›