E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE-ODIHR publikon raportin e 2 për zgjedhjet

OSBE/ODIHR ka publikuar raportin e dytë mbi ecurinë e zgjedhjeve lokale të 8 majit. Në raport theksohet se KQZ ka ecur përpara në drejtim të miratimit të rregulloreve lidhur me përgatitjen e zgjedhjeve. Megjithatë, në këtë periudhë të raportimit, nuk u respektuan katër afate kohore të procesit zgjedhor. Në përgjithësi, KQZ-ja i ka votuar njëzeri vendimet në lidhje me përgatitjet administrative dhe teknike të zgjedhjeve, por ka votuar me tendenca partiake çështjet e debatuara nga Partia Demokratike (PD) dhe Partia Socialiste (PS).
 

Më tej raporti thekson se shumica e komisionerëve të KZAZ-ve duket se po punojnë me eficencë dhe në kolegjalitet, pa probleme të mëdha. “Në pothuajse të gjitha bashkitë ka qendra votimi me më shumë sesa kufiri ligjor prej 1000 votuesit të regjistruar. Vendndodhja e disa qëndrave të votimit është bërë objekt debatesh për shkak se ato janë vendosur në ambjente private. Ka disa mospërputhje të vogla në numrin e përgjithshëm të votuesve në listat përfundimtare të votuesve që ka përdorur KQZ-ja dhe numrit të votuesve deklaruar nga Ministria e Brendshme. Autoritetet vendore nuk kanë ndjekur gjithmonë procedura uniforme të dorëzimit të listave përfundimtare të votuesve pranë KZAZ-ve” theksohet në raport.
 

Më tej në raport theksohet se aktivitetet e fushatës janë intensifikuar në shumicën e zonave të vendit dhe ka pasur një theksim të fortë të çështjeve vendore, sidomos nga ana e PD-së, ndërsa shton se PS-ja e ka përqëndruar kritikën edhe ndaj punës së qeverisë, sidomos të kryeministrit.
 

“Pavarësisht thirrjeve të zyrtarëve të lartë për qetësi, mjedisi i tensionuar politik i muajve të fundit është pasqyruar në disa incidente të dhunshme të lidhura me fushatën. Ka pasur një numër të madh akuzash për presion ndaj administratës shtetërore dhe nxënësve. MVZ i OSBE/ODIHR ka vlerësuar si të besueshme tri raste presioni ndaj mësuesve për të marrë pjesë në aktivitetet e fushatës së PD-së, por deri më tani nuk ka mundur të konfirmojë pretendime të tjera” thuhet më tej në raport.
 

Raporti gjithashtu thekson se media e monitoruar po e mbulon gjerësisht fushatën zgjedhore ndërsa shton se Bordi i Monitorimit të Medias (BMM) ka përpiluar dy raporte javore të monitorimit të medias, por i tejkaloi kompetencat duke u dhënë paralajmërime mediave lidhur me reklamat me pagesë.
 

“KQZ-ja nxorri një vendim ku u kërkohet mediave të transmetojnë kasetat e përgatitura prej partive politike në rast se ato nuk mund të sigurojnë vetë mbulimin e aktiviteteve elektorale në lajmet e tyre. Duket se ky vendim shkon përtej Kodit Zgjedhor duke u dhënë partive kompetencën për të specifikuar shpërndarjen e mbulimit me lajme ndërmjet aktiviteteve të partisë dhe kandidatëve në median private” thekson raporti I OSBE/ODIHR-it.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›