E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çefa: 1012 aplikantë për kompensimin financiar

29/04/2011  Mbyllet zyrtarisht afati i pranimit të kërkesave në AKKP

Tirana numrin më të madh me 377 kërkesa

Agjencia e Kthimit të Pronave mbyll zyrtarisht procesin e pranimit të kërkesave për kompensimin financiar për 2011. Sipas njoftimit të AKKP-së, afati i përcaktuar sipas ligjit ishte 1 muaj. “Në përfundim të këtij procesi Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka regjistruar në total 1012 kërkesa për kompensim prone”, - theksoi kreu i AKKP-së, Elvis Çefa. Të dhënat mbi numrin e këtyre kërkesave të ndara, sipas qarqeve tregojnë se numrin më të madh të kërkuesve e zënë ata nga Tirana me 377 kërkesa për kompensim, pastaj vjen qyteti i Shkodrës me 168 kërkesa dhe Korça me 140 kërkesa. Menjëherë pas kësaj faze do të fillojë shqyrtimi i kërkesave. “Gjatë periudhës në vijim, në përputhje me kërkesat e ligjit nr. 9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” të ndryshuar dhe VKM nr. 192, datë 09.03.2011 “Për përcaktimin e rregullave dhe të kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit, pronarëve në të holla për vitin 2011”, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të vijojë me procesin e shqyrtimit administrativ të tyre”, - thekson Çefa. Sa më i hershëm në kohë të jetë vendimi aq më e madhe është mundësia për t’u kualifikuar. Nëse më parë pavarësisht nga sipërfaqja e njohur kompensoheshe vetëm për 200 metra katror tani kompensohesh deri për 600 metra katror, pasi është hequr kushti që po të kishe pasur kthime në natyrë nuk kompensoheshe financiarisht. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk do të bëjë publike për këtë fazë emrat e të gjithë subjekteve aplikuese, ndërsa më vonë do të shpallen vetëm emrat e fituesve. Procesi i pranimit dhe regjistrimit të kërkesave për kompensimin në të holla të pronës për këtë vit ka në dispozicion rreth 1 miliard lekë.

Qyteti Aplikantët

Tiranë 377

Durrës 65

Shkodër 168

Elbasan 43

Vlorë 61

Fier 78

Korçë 140

Kukës 8

Gjirokastër 19

Berat 26

Lezhë 16

Dibër 11

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›