E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama, fitore në Kongres, por republikanët nuk tërhiqen

Ligji i reformës së kujdesit shëndetësor fiton, por rruga përpara ende e vështirë

Në votën e së dielës në Kongres në lidhje me ligjin për reformimin e kujdesit shëndetësor, Presidenti Obama ka korrur një sukses të vërtetë, por ky nuk është fundi i historisë, sipas republikanëve. Këta të fundit kanë deklaruar se janë gati për një betejë dhe sfida të reja ligjore për ndalimin e aprovimit të këtij versioni të ligjit. Vota finale e miratimit 219-212 e cila u dha në orët e vona të së dielës kurorëzoi një betejë shumëvjeçare për shumë presidentë amerikanë dhe një betejë njëvjeçare për Presidentin aktual, i cili e premtoi këtë reformim që gjatë fushatës zgjedhore presidenciale. Kongresi Amerikan e ka kaluar ligjin, i cili megjithatë, për t’u aprovuar përfundimisht duhet që të kalojë edhe shumë vështirësi të tjera. Zyrtarët e lartë që merren me ligjin në 11 shtete thanë se do ta çojnë ligjin në gjykatë në lidhje me kushtetutshmërinë e tij. Megjithatë, aksionet e kompanive të ndryshme të ilaçeve patën një rritje dje në bursë pasi gjithsesi votimi i ligjit nga Kongresi Amerikan është një qartësi më shumë për sa i përket sigurisë së aprovimit të tij të shpejtë. Kjo reformë synon që të përfshijë në rrjetin e saj 32 milionë qytetarë amerikanë të pasiguruar. Ai e shtrin paketën e mbulimit me sigurime shëndetësore edhe te të varfrit, duke vendosur taksa të reja për të pasurit dhe ndalimin e disa shërbimeve të deritanishme të ofruara nga shërbimi shëndetësor. “Ky legjislacion nuk do të ndreqë gjithçka që nuk shkon në sistemin tonë shëndetësor, por është një hap shumë i rëndësishëm përpara në drejtimin e duhur. Ky është një ndryshim, nga ata që ne e kemi propaganduar gjatë fushatës zgjedhore”, ka deklaruar Presidenti Obama gjatë deklaratës së orës së vonë, në përfundim të votës të bërë drejtpërsëdrejti nga Shtëpia e Bardhë. Ky aprovim përmbush një qëllim që shumë presidentë amerikanë i kishin vënë vetes gjatë mandateve të tyre. Tentativa më e fundit që dështoi ishte ajo e ndërmarrë nga ish-presidenti, Klinton në vitin 1994. Liderët e Kongresit kanë planifikuar një ceremoni nënshkrimi para se ta çojnë ligjin për nënshkrim në Shtëpinë e Bardhë. Aty do të jetë Obama ai që do të thotë fjalën e fundit për t’i hapur rrugën reformimit të një sistemi shumë të rëndësishëm dhe të kushtueshëm për amerikanët.

Për sa u përket republikanëve, ata ngulmojnë se ligji me një vlerë 940 miliardë dollarësh është një ligj shumë i kushtueshëm që do t’i krijojë shumë probleme buxhetit të shtetit, i cili aktualisht ndihet në një situatë shumë të rëndë. Republikanët e Senatit thanë se ata do të luftojnë për të bërë ndryshime të tjera në paketën e ligjit.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›