E Shtunë, 31 Tetor 2026

Profesionalet, Tafaj: Çdo shkollë do të ketë llogarinë e saj

SHKRUAN: Jonida Tashi 24-02-2011 21:16

Çdo shkollë profesionale do të ketë llogarinë e saj, për të mundësuar zhvillimin e veprimtarive, të ardhurave për shkollat, si pasojë dhe autonominë financiare. Deklarata është bërë nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili ka bërë të ditur se për këtë projekt është biseduar dhe rënë dakord edhe me Ministrinë e Financave. Duke marrë shkas nga objektivat e Ministrisë së Arsimit, për arsimin profesional, ministri i Arsimit bashkëbisedoi në një takim pune me drejtuesit e shkollave profesionale në Shqipëri. Prioritet i arsimit, e ka cilësuar ministri Tafaj arsimin profesional, duke theksuar se do të vazhdojë mbështetja nga donatorët, por duhet menduar për çdo shkollë profesionale që kemi aktualisht sesi duhet zhvilluar e transformuar në të ardhmen. Ministri Tafaj tha se duhet menduar që t’i hapim shkollat e mesme profesionale drejt ekonomisë dhe sektorit privat të interesuar. Tashmë bordi i këtyre shkollave profesionale, theksoi ministri Tafaj, sipas ligjit, do të ketë përfaqësues të sektorit privat. “Ka plot biznesmenë që duan të na ndihmojnë dhe ne duhet t’i ofrojmë ato. Do të jetë bordi që bën mbikëqyrjen financiare, menaxhimin e buxhetit, si dhe kontribuon direkt në planin e zhvillimit të shkollës”, - u shpreh kreu i Arsimit. Sipas tij, “ka rëndësi të madhe mënyra sesi tërhiqen” nxënësit në arsimin profesional. Ai ka argumentuar se kjo është e vështirë, ngaqë ne ende nuk kemi një kriter të shpallur se cili nxënës do shkojë në shkollë të mesme të përgjithshme apo në shkollë profesionale. Ndaj, “Thembra e Akilit” te shkollat profesionale, theksoi ministri Tafaj, është aftësimi praktik, pikërisht këtu ku ekziston edhe ngërçi më i madh. Ndonëse në mjaft shkolla janë bërë përmirësime të mëdha, në burime njerëzore, por dhe infrastrukturë, sërish ka ende punë për t’u bërë, në mënyrë që arsimi profesional në vendin tonë t’i përafrohet niveleve europiane.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›