Injorimi i kolapsit financiar
Ndërsa bota mbarë ka vënë në punë makinerinë shtetërore, financiare, apo ligjbërëse për t’i paraprirë zhytjes në kaos, Shqipëria duket se po mbetet një “rezervat”, që nuk ka asnjë lidhje me zhvillimet botërore, pak e shumë si në 50 vitet e fundit të shekullit të kaluar, kur ishte e izoluar nga bota.
Sigurisht që zemra e krizës është në kontinentin amerikan, arteriet janë shtrirë natyrshëm edhe në tregjet më të mëdha financiare të botës, por nëse kolapsi financiar do të vazhdojë, Shqipëria, edhe pse një ekstremitet në tregun global financiar do t’i duhet të parashikojë pasojat. Një realitet që deri tani është parë, sikur ndodh në një planet tjetër dhe një injorim total, që fajëson pikësëpari ligjvënësit, qeverinë dhe autoritetet bankare, të cilat duhet të ishin gjithë sy e veshë për të përgatitur situatat dhe për të marrë masa që do të zvogëlonin rrezikun e pranishëm për humbje të gjithanshme ekonomike.
Zhvillimet e orëve të fundit nëpër botë tregojnë se sa të “mpirë” kanë qenë përgjegjësit për mbarëvajtjen e punëve në Shqipëri. Dje gjashtë qeveri të vendeve të BE-së lajmëruan marrjen e masave urgjente, ndërsa Unioni bëri disa propozime për sistemin bankar. Megjithëse me një treg konservator dhe të konsoliduar, Presidenti i KE-së, Barroso, nuk e quajti të pavend t’u bënte thirrje qeverive europiane për një kontroll më të rreptë ndaj bankave. Parlamente jo vetëm të vendeve të BE-së, por edhe më gjerë kanë vënë në rendin e ditës krizën botërore financiare dhe parapritat që mund të ngrenë në vendet e tyre. Në vende të mëdha të Europës e deri te Greqia fqinje, qeveritë po kërkojnë rritjen e masës së sigurisë së depozitave të klientëve.
Po Shqipëria? Deri më sot kanë folur vetëm ekspertë të pavarur, të cilët janë munduar që të jenë sa më të kujdesshëm që me fjalën e tyre të mos thonë ndonjë “fjalë të gabuar”. Ka folur tre ditë më parë edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, i cili paralajmëroi bankat e nivelit të dytë që të jenë më të kujdesshme në kredidhënie dhe institucioni që ai drejton, prej janarit 2008 po skanon aktivitetin financiar të bankave, duke mbushur regjistrin e kredive dhe gjendjen e tyre.
Nuk ka folur ende qeveria dhe Kuvendi. Dhe nuk dihet edhe për sa kohë. Këto ditët e fundit kur rrëzohej plani “Bush” dhe njëra pas tjetrës kolapsoheshin superbanka amerikane, apo të tjera bliheshin nga shtete evropiane, kryeministri i vendit ka vijuar me prerjen e shiritave elektoralë, me sulmet verbale ndaj gjyqësorit, KLD-së dhe Prokurorisë së Përgjithshme, pra ka mbetur në rutinën ekzekutive që kemi parë tre vitet e fundit, dhe që nuk ka lidhje fare as me axhendën aktuale të një kryeministri tjetër në Ballkan, Europë apo më gjerë.
Kuvendi i Shqipërisë edhe më keq. Aty është diskutuar për ngjarjet më banale që kanë ndodhur vitet e fundit në mbarë globin, por vetëm për krizën financiare globale nuk po flitet. Dhe nuk ka gjasa, sepse sipas kalendarit zyrtar të punimeve të Kuvendit, deri në 13 tetor 2008, nuk thuhet asgjë. Ja p.sh. sot në seancën plenare që nis në ora 10.00, do të diskutohetProjektligji “Për peshkimin dhe akuakulturën”, katër ditë më vonëdo të jetë edhe Projektligji “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”, më 9 tetor “Për ekzekutimin e vendimeve penale” apo më 13 tetor Projektligji “Për miratimin e buxhetit faktik të shtetit të vitit 2007”. Pra, pak a shumë si në Kuvendin e marsit 1997, ku kishte vetëm deputetë të PD-së dhe, ndërsa vendi digjej pas rënies së piramidave mashtruese të lejuara nga qeveria, në Kuvend diskutohej projektligji për “Pyjet dhe kullotat”.
Normalisht sot, nëse Kuvendi i Shqipërisë do të ishte sadopak në lartësinë e dinjitetit të një parlamenti të një vendi evropian, rendi i ditës duhej ribërë dhe pikësëpari të thirrej në raportim Guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Ai duhej të sqaronte ligjvënësit dhe popullin që ata përfaqësojnë se çfarë rreziku u kanoset bankave shqiptare të nivelit të dytë, të cilat janë degë të bankave evropiane, nëse bankat mëmë falimentojnë apo shtetëzohen nga qeveritë e vendeve nga vijnë; sa të sigurta janë depozitat e shqiptarëve në këto banka dhe a mos duhet ngritur masa e sasisë së garantuar prej 700 mijë lekësh, sipas masave që morën qeveritë në Gjermani, Irlandë, apo Greqi, duke i dyfishuar ato; sa do të goditen mbi 1 milion shqiptarë nga kriza financiare në vendet ku jetojnë dhe ku bëjnë paratë e tyre dhe mbi 1.2 miliardë eurot që sjellin çdo vit në vendlindje për të mbajtur gjallë familjet e tyre dhe buxhetin e shtetit; sa të rrezikshme janë për bankat kreditë e këqija dhe si do të rregullohet bilanci i tyre financiar, çfarë do të ndodhte nëse bankat apo shoqëritë e sigurimeve që kanë vënë paratë në këto banka të mos kishin likuiditete etj, etj.
Sigurisht që Shqipëria ka “fatin” të jetë edhe një rast i “izoluar” sepse sërish mbizotëron ekonomia informale, shumica e parave janë jashtë kanaleve bankare dhe veçanërisht paratë e vëna me korrupsionin në këto vitet e fundit nuk janë strehuar nëpër banka. Por fatkeqët e krizës aktuale janë shtresat e gjera dhe ato duhen mbrojtur nga pushtetarët ashtu siç shprehej dje Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso: “vetëm me veprime të koordinuara nga të gjitha instancat e përfshira” dhe jo duke injoruar krizën, sikur të mos ekzistonte.