E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papërgjegjshmëri e përgjegjshme

Sa herë që Kryeministri pyetet për Gërdecin, duket sikur i mbahet goja, sikur gufoset dhe bëhet nervoz. I pyetur para tri ditësh për lidhjen e tragjedisë me trafikun e armëve, ai, pasi e mohoi lidhjen “licencuese” mes tyre, e quajti ngjarjen thjeshtë si papërgjegjshmëri njerëzore, që në rastin më të mirë nuk do të prekte politikën. Këtë deklarim Kryeministri e bëri, tek po fliste për luftën kundër korrupsionit, në një konferencë të papritur shtypi në orarin më relaksues, mbrëmjen e ditës së diel, ku vetëm një ngjarje e jashtëzakonshme mund të japë shkas që një kryeministër të dalë e t’u flasë qytetarëve.

Le të ndalemi te “papërgjegjshmëria njerëzore”, në rastin e Gërdecit. Aty ku besohet se kryeministri do të dëshironte të arrinin përfundimet e prokurorisë. Nëse do ta besonim këtë, numri i njerëzve përgjegjës për atë çka ndodhi më 15 mars nuk do duhej të ishte më shumë se sa numri i atyre që ndodhen sot në qelitë e burgut (pra vetëm 3). Jemi në kushtet kur, sipas Kryeministrit, i gjithë aktiviteti për çmontimin e armëve në Gërdec duhej konsideruar i ligjshëm, i moralshëm dhe njerëzor, por i zhvilluar në kushte jo të përshtatshme teknike të cilat kanë reflektuar deri në papërgjegjshmëri të 2-3 personave (!!) Dhe, sipas këtij versioni, kjo papërgjegjshmëri paska ardhur, për arsye të babëzisë së Mihal Delijorgjit për të fituar sa më shumë!

Po si ka mundësi që përballë kësaj “papërgjegjshmërie” të kenë rrëshqitur të gjitha institucionet e shtetit që, në kushte normale, kanë lidhje me një biznes të tillë, ku luhen shuma të mëdha parash? Si ka mundësi që asnjë punëtor të mos rezultojë as i regjistruar në sigurimet shoqërore, e as i siguruar për jetën e tij edhe pse kryen një punë shumë të rrezikshme? A mund të konsiderohet, një aktivitet ilegal i realizuar me mjete legale dhe në mënyrën më të organizuar, në të gjitha elementët e tij, thjeshtë papërgjegjshmëri njerëzore? E nëse do të konsiderohej kështu, e kujt do të ishte kjo papërgjegjshmëri, e atij që bënte sikur çmontonte municionet apo e atyre që ia kishin faturuar një aktivitet të tillë?

Si ka mundësi që shërbimit sekret të mos i bjerë në sy që ky aktivitet i rrezikshëm po zhvillohej brenda një trekëndëshi shumë domethënës me kulme Tiranën, Portin e Durrësit dhe Aeroportin e Rinasit? Apo si ka mundësi që ky aktivitet i ka shpëtuar vëmendjes së të gjithëve, edhe pse për t’u zhvilluar është dashur në fillim, të vihen në lëvizje, institucionet e larta të shtetit si Ministria e Mbrojtjes apo Këshilli iMinistrave për t’u licencuar dhe më pas është dashur të lëvizin qindra automjete të rënda të Ushtrisë Shqiptare, për të transportuar mijëra ton municione të cilat do të demontoheshin në mes të një zone të banuar?

Sa herë që Kryeministri Berisha flet për Gërdecin e bën nga një gafë, e lë nga një nam. Herën e parë pati thënë se nuk kishte asnjë lloj dijenie për ekzistencën e Gërdecit edhe pse njëri prej ish punonjësve të vrarë aty rezultoi të ishte baxhanaku i tij, i cili sipas deklarimeve të punëtorëve ishte person kryesor aty. Më tej, për ta justifikuar këtë gjë, Kryeministrit iu desh të mohonte edhe njohjen me baxhanakun e tij “të ri”, të cilin nuk e paskësh takuar asnjëherë (imagjinoni sa mund të bëhet një gjë rreth Berishës pa ditur gjë ai!). Akoma më tej, Kryeministri shau përçart një prej gazetave më të rëndësishme të botës, “The New York Times”, duke e konsideruar letër higjienike, vetëm pse kjo gazetë kish botuar një artikull për trafikun e armëve nga Shqipëria në Afganistan, e ku brendatij përmendej diku edhe familja e kryeministrit si e dyshuar për përfshirje në këtë aferë. Gafa e fundit ishte ajo e para tri ditëve kur e cilësoi tragjedinë thjeshtë si papërgjegjshmëri njerëzore.

Kokëfortësia e kryeministrit, kur flitet për Gërdecin, i kalon të gjitha caqet. Në fund të fundit duket sikur ai thotë: “për inat që ju e keni marrë vesh si është puna, unë nuk e pranoj të vërtetën” dhe nëpërmjet shfrytëzimit të pushtetit përpiqet të thjeshtëzojë, sa të jetë e mundur, superskandalin më të madh financiar që u shndërrua në tragjedi.

Ajo që duket e trishtueshme ka të bëjë me faktin se për ta bërë këtë gjë, kryeministri stimulon konferenca qesharake shtypi, në salla ku mund të shikosh ministra, drejtorë, zëdhënës, rojtarë, e gjithfarë lloj shërbyesish të tjerë. Vetëm gazetarë është e vështirë të shikosh. I gjithë ky shou bëhetpër gjëra që nuk kanë fare lidhje me atë çka thuhet. Kryeministri që nuk e ka për gjë as të flasë për hajdutë xhepash, në emër të luftës kundër korrupsionit por, duke gjuajtur tjetërkund, për të trembur ndonjë prokuror, kokëfortë, që nuk po tregohet i bindur lidhur me hetimin e Gërdecit. Shqiptarët po shikojnë formën klasike të funksionimit të logjikës së ndëshkimit të të korruptuarve të vegjël, për të mbuluar aferat e mëdha, duke vënë në zbatim ligjin e xhunglës, ku i korruptuari i madh “e ha” të korruptuarin e vogël.

Sfida më e madhe e kryeministrit nuk janë zgjedhjet e vitit 2009, por Gërdeci. Zbardhja e kësaj afere ka të bëjë jo thjeshtë me pozicionin e Sali Berishës pas një viti, por me gjithë biografinë e tij politike. Zgjedhjet e pas disa muajve më shumë do t’i duhen Berishës për të mbyllur problemet me drejtësinë, sesa për të kënaqur ambiciet e tij të shfrenuara për pushtet. Në këtë kuptim, qytetarëve shqiptarë do t’iu duhet ta trajtojnë vitin 2009 jo vetëm si vit të përzgjedhjes së qeverisë së tyre, por si momentin e përballjes së interesave të tyre me mafien shtetërore.

Kur flitet për Gërdecin duhet ditur që po flitet, jo thjeshtë për papërgjegjshmëri njerëzore, por për korrupsionin më të madh të ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. E vetmja papërgjegjshmëri në këtë hesap është ajo e Kryeministrit, një papërgjegjshmëri e përgjegjshme kjo, e shtirur, për të fshehur të vërtetën, nëpërmjet shfrytëzimit të të njëjtit mekanizëm që e krijoi, nëpërmjet politikës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›