“Inkurajuese për rajonin, me hasmëri shekullore s’ka stabilitet”
Kreu i PDI-së, Ali Ahmeti përshëndet vizitën e Metës në Serbi
Vizita e Ilir Metës në Beograd i shërben fqinjësisë së mirë, paqes dhe stabilitetit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Këtë vlerësim ka dhënë kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti vizitën e Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ilir Meta në Serbi duke shtuar se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të integrohen në Bashkimin Evropian duke lënë pas armiqësitë e vjetra.
“Mendoj që vizita e zotit Meta në Beograd është një kontribut i Shqipërisë në forcimin e raporteve me vendet e rajonit, të Ballkanit perëndimor. Që synim i të gjithëve është që edhe ky rajon më në fund të marrë rrugën e integrimit të plotë si në NATO ashtu edhe në Bashkimin Evropian. Mendoj se me hasmëri shekullore nuk mund të arrihet as paqe, as siguri e as stabilitet”, u shpreh Ahmeti.
Pas vizitës në Beograd, shefi i diplomacisë shqiptare ka zhvilluar një takim me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, me të cilin ka biseduar rreth procesit të integrimit të vendeve të rajonit në NATO dhe BE. “Parimisht për nevojën dhe punët që duhet të realizohen në drejtim të avancimeve të mëtejshme për integrimin e rajonit në NATO dhe Bashkimin Europian. Ka qenë një takim miqësor, sigurisht që kemi biseduar për shumë çështje, kemi biseduar edhe për vizitën që ka realizuar zoti Meta në Serbi, por edhe për një vizitë të mundshme të zotit Meta në Maqedoni. Gjithashtu dëgjova impresionimet të zotit Meta për pritjen që i ka bërë komuniteti shqiptarë në Luginën e Preshevës”, vijoi më tej Ali Ahmeti.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta gjatë vizitës së tij në Beograd ka zhvilluar takime me krerët më të lartë të shtetit serb si dhe ka takuar liderët shqiptarë në Luginën e Preshevës..
...