E Diel, 1 Nëntor 2026

Suedia mbështet liberalizimin e vizave, dënon bojkotin e parlamentit nga opozita

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, vizitë zyrtare në Stokholm



Suedia mbështet fort liberalizimin e vizave të Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe kundërshton bojkotin e opozitës. Garancia i është dhënë kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli gjatë vizitës së saj në Stokholm. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli po zhvillon një vizitë zyrtare në Stokholm me ftesë nga Kryetari i Parlamentit të Suedisë, Per Vesterberg. Kjo është vizita e parë zyrtare e një kryetari parlamenti të Shqipërisë në Suedi. Duke i uruar mirëseardhjen në Stokholm Westerberg shprehu kënaqësinë për këtë vizitë dhe e vlerësoi atë si një vijim të frytshëm të dialogut të nisur një vit më parë me vizitën e tij në Tiranë.


“Ne, vlerësojmë qeverisjen tuaj, rritjen ekonomike dhe shtetin ligjor


prandaj dhe ju mbështesim. Ne mbështesim integrimin tuaj dhe shpresojmë që shumë shpejt të jeni anëtarë në BE. Ne ju urojmë sukses në negociatat e anëtarësimit dhe në reformat tuaja, të cilat janë të guximshme por të nevojshëm për këtë anëtarësim. “Anëtarësimi është në të mirë jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Europës e të gjithëve ne”, u shpreh Westerberg.


Lidhur me zgjedhjet e fundit, kreu i parlamentit suedez deklaroi se Shqipëria realizoi zgjedhje shumë të mira, sikurse i vlerësuan edhe ndërkombëtarët.


“Kur njihen rezultatet, parlamenti fillon punën për të trajtuar çështjet e qytetarëve, dhe nuk i takon parlamentit të trajtojë çështje që tashmë kanë marrë gjykimin nga drejtësia”, shtoi ai.


Në këtë takim u diskutua gjerësisht për politikën reformatore të Shqipërisë dhe për zhvillimet politike dhe ekonomike të vendit. Biseda u fokusua kryesisht në plotësimin e detyrimeve që Shqipëria ka përmbushur. “Për të gjitha këto ne presim marrjen e vendimit nga BE për heqjen e vizave”, theksoi Topalli.


Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli e vlerësoi këtë vizitë shumë pozitive dhe shprehu besimin dhe shpresën për mbështetjen e Suedisë si vend anëtar i rëndësishëm i BE në pritshmërinë e gjithë shqiptarëve për heqjen e vizave. Trajtimi i kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim u bë gjatë presidencës suedeze dhe po gjatë kësaj presidencës, me 16 nëntor 2009, iu kërkua komisionit përgatitja e opinionit për Shqipërinë. Kjo solli që vetëm një muaj më pas, më 16 dhjetor 2009, t’i dorëzohet Shqipërisë pyetësori nga Komisioni Europian.


“Këto data janë të një rëndësie të veçantë për Shqipërinë, tha zonja Topalli. Dhe për këtë i jemi shumë mirënjohës presidencës së Suedisë. Ky proces madhor përbën jo vetëm një test të kapaciteteve të institucioneve tona por kryesisht bazohet në angazhimin dhe përkushtimin maksimal të qeverisë”, tha kryetarja e Kuvendit.


Ajo vlerësoi mbështetjen që Suedia i jep politikës së zgjerimit të BE, ku ajo është ndër përkrahëset më të forta. Gjatë presidencës suedeze , tha ajo, Shqipëria ndjeu një klimë shumë mbështetëse në favor të progresit të mëtejshëm në afrimin drejt BE.


Dy kolegët theksuan rëndësinë e diplomacisë parlamentare dhe vlerësuan se, ky shkëmbim vizitash i shërben bashkëpunimit aktiv dhe frymës së miqësisë midis dy parlamenteve dhe më gjerë. Duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira politike midis Suedisë dhe Shqipërisë, dy kryetarët e Parlamenteve shprehën vendosmërinë për thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët.




Kryetari i Komisionit të jashtëm suedez, Goran Lennmarker



“Shqipëria, zhvillime të shpejta në një kohë rekord, opozita të zerë vendet në parlament”



Mbështetje për heqjen e vizave Kryetarja e Kuvendit e mori edhe nga Kryetari


i komisionit të jashtëm të parlamentit të Suedisë, Goran Lennmarker, i cili i rezervoi një pritje të veçantë si dhe u zhvillua një seancë dëgjimore në këtë komision.


Lennmarker, tha se Shqipëria ka mbështetjen e plotë të Suedisë dhe ne do t’ju mbështesim për të përshpejtuar procesin integrues.


“Gjatë vizitave të fundit në Shqipëri, tha ai, kam konstatuar zhvillimet e shpejta në një kohë rekord. Jemi në anën tuaj për heqjen e vizave dhe i qëndrojmë fort kësaj politike. Ne ju mbështesim, sepse ju keni realizuar reformat”, u shpreh Lennmarker.


Ndërkaq, kryetarja e Kuvendit tha se “arritëm të bëjmë reforma rrënjësore, sepse vizioni ynë u mbështet në ëndrrën e shqiptarëve. Si përgjigje e këtyre reformave ne realizuar anëtarësimin në NATO, tani është koha për të hequr vizat për shqiptarët sepse kemi përmbushur detyrimet”, tha kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.


I pyetur nga gazetarët pas takimit, Lennmarker tha se parlament i Suedisë është angazhuar fort për liberalizimin e vizave.


“Ne mendojmë se deputetët e Partisë Socialiste duhet të zënë vendet e tyre në Parlament dhe të bëjnë opozitë konstruktive. Mendoj është shumë e rëndësishme që të gjithë deputetët të marrin pjesë në punimet e Parlamentit, sepse çështja qëndron në faktin që Parlamenti duhet të kryejë një punë cilësore. Mendoj se Qeveria ka ofruar që të hapë gjithçka, por jo ato që janë detyrë kushtetuese e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe sistemit gjyqësor. Mendoj se Kushtetuta e vendit duhet respektuar”, tha ai.




...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›