E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra; Zonja Ina Rama, çfarë po bëhet me dosjen e Irena Selit?



Një letër publike i është nisur dje nga shoqata “Në dobi të gruas shqiptare” Kryeprokurores së vendit, znj. Ina Rama, lidhur me ecurinë e kërkimeve hetimore për Irena Selin, e zhdukur në traget gjatë kthimit për në Shqipëri me bashkëshortin Agim Musho nga Gjermania përmes Italisë. Duke qenë se për shumë kohë për këtë çështje nuk ka pasur ndonjë zhvillim, si për mirë ashtu dhe për keq, kjo shoqatë ka menduar t’i drejtohet publikisht znj. Rama dhe të mësojë mbi fatin e dosjes. “Po zgjedhim këtë letër të hapur, si formën më të mirë të një komunikimi të hapur, për një çështje që gjithashtu është e hapur. Bëhet fjalë për një çështje, e cila i kalon interesat individuale apo të një grupi të caktuar dhe shtrihet shumë më gjerë se kaq. Është një çështje, që i përket gjithë komunitetit, gjithë shoqërisë sonë, ndaj është kjo arsyeja, për të cilën vendosëm të komunikojmë me ju, në mënyrë mediatike dhe jo në mënyrë private. Ndoshta kjo e dyta ndonjëherë mund të jetë shumë më komode, për ne si letërshkrues, por duke qenë të bindur se përmasat e çështjes në fjalë janë shumë më të mëdha se kaq, e nga ana tjetër duke pasur një përvojë të hidhur tashmë, që kërkesave zyrtare të bëra nga ne e të tjerë njerëz të interesuar ngushtësisht në këtë rast, nuk kanë marrë asnjëherë përgjigje, bëmë këtë zgjedhje, për të cilën besojmë se do të kemi mirëkuptimin tuaj. Po ju drejtohemi juve zonja Rama, si Prokurore e Përgjithshme, por jo thjesht për këtë. Po ju drejtohemi juve si nënë, si bashkëshorte, si bijë, si motër, për t’ju sjellë në mendje një nga dosjet më të përfolura dhe njëkohësisht më të mediatizuara në historitë e familjeve shqiptare. Nëse do ktheheshim disa vjet më parë, (sigurisht atëherë ju nuk keni qenë në krye të Prokurorisë së Përgjithshme) jemi të bindur, që të gjithë e kujtojnë emrin e Irena Selit dhe sagën që shoqëroi zhdukjen e saj. Për një kohë të gjatë do të shkruanin gazetat, për një kohë të gjatë televizionet do të hapnin edicionet kryesore me këtë lajm. Dhe për një kohë të gjatë, avokatë, gjykatës e prokurorë do të flisnin për këtë çështje. Por tani, kur të gjithë këto institucione apo njerëz, që u morën me çështjen janë lodhur, dikush tjetër vazhdon të kërkojë përgjegjësit e zhdukjes së Irena Selit dhe të mësojë të vërtetën e saj. Jemi ne, familjarët e saj zonja Rama, ata njerëz, të cilët ia ndiejnë mungesën çdo ditë, që vazhdojnë ta duan çdo ditë, aty ku ajo është apo nuk është. Jemi ne që ju jemi drejtuar disa herë dhe që punonjësit e institucionit tuaj na kanë marrë zvarrë pa na dhënë asnjë përgjigje. Nga ana tjetër, jemi dhe ne, një shoqatë grash, që çdo ditë, ballafaqohemi me probleme të shumta të grave e vajzave tona dhe që nuk do donim të merrnim përsipër të flisnim për dhimbjen e familjes së Irena Selit, sepse nuk e dimë a jemi të zotët ta bëjmë. Por si gra, nëna, bashkëshorte, motra dhe sigurisht si anëtare të një shoqate, që mbron të drejtat e grave, do donim të dinim më shumë. Besojmë se kjo është nuk është një e drejtë, të cilën po ia atribuojmë vetes, por një e drejtë, që na takon si qytetarë. Për të gjitha arsyet e përmendura më sipër, por edhe për shumë të tjera, për faktin e thjeshtë se një jetë njerëzore është zhdukur, do t’ju luteshim të bënit detyrën tuaj dhe të përgjigjeshit. Zonja Rama, çfarë është bërë me dosjen e Irena Selit? A vazhdojnë hetimet? A është mbyllur ajo dosje? A ka ndonjë pistë të re kërkimi? Shoqata “Në dobi të gruas shqiptare”, që prej vitesh ka punuar dhe vijon të punojë për të drejtat e grave, ju thotë sot me zë të lartë se meritojmë të dimë më shumë, publiku shqiptar, ne dhe familja e Irena Selit. Aq më tepër, që me rastin e Irena Selit shoqata jonë ka ndërmarrë disa fushata dhe është interesuar veçanërisht. Ndërsa si qytetarë të thjeshtë e të paprivilegjuar të këtij vendi, do t’ju sillnim ndërmend ecejaket e familjarëve nga Prokuroria e Tiranës në atë të Durrësit dhe anasjelltas, për t’ju kujtuar se ata njerëz presin një përgjigje. Shpresojmë se pas kësaj letre, Prokuroria do të denjojë të japë një përgjigje, sido që të jetë ajo”, - përfundon letra publike drejtuar Prokurores se Përgjithshme dhe gjithë mediave vizive dhe të shkruara në vend.

Shoqata “Në dobi të gruas shqiptare”

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›