Robert Bosch; Roli i policisë në zgjedhje, tepër i rëndësishëm dhe vendimtar
Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, e ka cilësuar rolin e Policisë së Shtetit në zgjedhjet e 28 qershorit si tepër të rëndësishëm dhe tejet vendimtar. “Gjatë këtyre zgjedhjeve, Policia e Shtetit ka një rol të rëndësishëm dhe vendimtar në mbarëvajtjen e tyre. Puna e policisë është vlerësuar maksimalisht nga ndërkombëtarët dhe nuk duhet për asnjë çast të ndërpritet. Madje, edhe lufta ndaj krimit të organizuar dhe krimit në tërësi, luftë e cila sipas tij duhet të vazhdojë edhe më tej”, - u shpreh ai. Ndërsa, gjatë fjalës së tij, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, deklaroi se do të punohet maksimalisht që zgjedhjet e 28 qershorit të përfundojnë me sukses. Për këtë gjë ka nisur edhe trajnimi i 5 mijë uniformave blu në të gjithë vendin. “Ky proces trajnimi, ku janë përfshirë të gjithë efektivët që do të angazhohen në zgjedhjet e 28 qershorit, po zhvillohet nën vëzhgimin e misioneve ndërkombëtare PAMECA, ICITAP, ODHIR, OSBE, si dhe të drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit. Gjithashtu, në bashkëpunim me OSBE-në kemi përgatitur një libër xhepi për të gjithë punonjësit e policisë, libër i cili përcakton qartë detyrat tona”, - u shpreh Prençi. Takimi u mbajt dje në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë.
Deklarata
Ambasadori Bosch kërkoi gjatë takimit që të përsëritej suksesi i uniformave blu në zgjedhjet vendore të vitit 2007. “Sipas raportit përfundimtar të OSBE/ODHIR-it, roli i policisë në këto zgjedhje ishte profesional gjatë gjithë procesit zgjedhor”, - u shpreh ai. Më tej, ambasadori i OSBE-së u shpreh se shpresonte që të ndihmonin të gjithë që zgjedhjet e këtij viti të realizohen në mënyrën më të mirë të mundshme. “Në pajtim me pjesën tjetër të bashkësisë ndërkombëtare, unë shpresoj shumë dhe pres që klasa politike dhe ata që do të ndihmojnë në administrimin e zgjedhjeve, si dhe të gjithë ju, përfshirë edhe mediat, do të sigurojnë që këto zgjedhjet të jenë më të mirat nga ato të zhvilluara në vend, në mënyrë që Shqipëria të ecë përpara”, - tha më tej Bosch. Gjithashtu, Bosch foli edhe për zgjedhjet parlamentare të vitit 2005. “Në zgjedhjet parlamentare të 2005-s, ky raport shprehu se Policia e Shtetit, në ndryshim nga zgjedhjet e mëparshme, nuk ndërhyri gjatë procesit zgjedhor. Ndaj zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë sërish të rëndësishme për procesin në tërësi, për ambiciet e integrimit të vendit në strukturat euro-atlantike, si dhe për ambiciet e vetë popullit shqiptar”, - u shpreh ai. Ambasadori i OSBE-së vlerësoi rolin e drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit në mbarëvajtjen e procesit të trajnimit të efektivave të policisë që do të angazhohen në këto zgjedhje. “Roli i përfaqësuesve të misioneve ndërkombëtare, ishte vetëm ai i këshilltarit në leksionet e trajnimit. Jam i bindur, se trajnimi kaskad që do të merrni sot, do t’ju bëjë shumë shpejt të aftë për t’u njohur me detyrat e Kodit Zgjedhor, në mënyrë që të njëjtat standarde të larta të zbatohen në mbarë vendin”, - përfundoi ai.