Vendimi; Gjykata e Lartë “shpërbën” dosjen Gërdeci
Veçohet ish-ministri nga pjesa tjetër e të pandehurve pa imunitet. Mediu do të gjykohet nga i njëjti Kolegj Penal, ndërsa 28 të pandehurit e tjerë nga Gjykata e Shkallës së Parë. Vendoset mosshqyrtimi i padive civile brenda procesit penal, duke i deleguar për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë nga një trupë gjyqësore e seksionit civil
Gjykata e Lartë “shpërbën” Gërdecin, vendos të gjykojë vetëm ish-ministrin Fatmir Mediu, ndërsa 28 të pandehurit e tjerë nuk janë kompetencë e tyre. Me një vendim të marrë mesditën e djeshme, Kolegji Penal ndan në dy pjesë dosjen “Gërdeci”, duke pranuar në këtë mënyrë kërkesën për veçim të 19 të pandehurve të këtij procesi. Gjatë arsyetimit të vendimit, bazuar edhe në kërkesën e shumicës së të pandehurve për veçim të gjykimit, si dhe të pandehurve të tjerë që e lanë në dorë të gjykatës shpalljen apo jo të moskompetencës, sipas Kolegjit, Gjykata e Lartë nuk është kompetente për të pandehurit pa imunitet dhe për këtë arsye vendos që ata të gjykohen nga Gjykata e Shkallës së Parë. Veçimi i çështjes, sipas vendimit, u jep të drejtën të pandehurve të kenë mundësinë e ankimimit të njërit vendim në disa shkallë, e drejtë që u njihet në Kodin e Procedurës dhe në Kushtetutë. Gjithashtu, Kolegji Penal vendosi të shpallë moskompetencën edhe për paditë civile të depozituara një seancë më parë nga familjarët e prekur nga tragjedia, të përfaqësuar nga avokatja Blerta Kraja, si dhe padinë civile të Avokatit të Shtetit. Sipas arsyetimit të gjykatës, veçimi i tyre nga çështja penale dhe shqyrtimi nga Gjykata e Tiranës, konkretisht seksioni civil, do u japë atyre mundësinë e ankimimit. Tashmë pritet që dosja të transferohet për në Gjykatën e Tiranës dhe t’i nënshtrohet procedurës së shortit, ndërsa ish-ministri Mediu do vazhdojë të gjykohet më 15 qershor nga i njëjti Kolegj Penal i drejtuar nga Besnik Ymeraj. Por, ky vendim i gjykatës nuk u prit aspak mirë nga familjarët e viktimave të Gërdecit, të cilët reaguan mjaft ashpër, duke e quajtur si mjaft absurd. Po të njëjtin mendim pati edhe avokatja e tyre, Blerta Kraja, e cila u shpreh jashtë ambienteve të kësaj gjykate se “vendimi i Kolegjit Penal është absurd. Na legjitimoi si palë dhe pastaj na veçoi”.
Vendimi
Mesditën e djeshme, Kolegji Penal i kryesuar nga Besnik Ymeraj dhe anëtarët Irma Bala, Evgjeni Sinoimeri, Evelina Qirjako dhe Majlinda Andrea shpallën moskompetencën e Gjykatës së Lartë për gjykimin e akuzave penale në ngarkim të të pandehurve Agim Lala, Ndue Marku, Ardian Mullaj, Zija Bahja, Luan Hoxha, Zenun Ferro, Hysni Çocka, Lavdi Shatro, Jorgo Mino, Fiqiret Mato, Armand Tartari, Fatbardh Kuçi, Shpëtim Spahiu, Adriatik Mema, Rezart Tershana, Denis Hajdari, Gëzim Hoshafi, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fahri Toska, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Shkëlzen Madani, Sokol Ngjeci, Dritan Minxholli, Juliana Margariti, Dashnor Caushi, Hilmi Laçaj, dhe “Albademil” sh.p.k. Gjithashtu, Kolegji vendosi dhe dërgimin e çështjes në ngarkim të tyre për kompetencë në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë. Më pas, gjykata vendosi edhe veçimin e padisë civile nga procesi penal të paditësve Nazmije Hazizaj etj., përfaqësuar nga avokate Blerta Kraja, të legjitimuar nga organi i prokurorisë në fazën e hetimeve paraprake dhe mospranimin për shqyrtim të kërkesë-padisë së Avokatit të Shtetit dhe padive të tjera civile, duke i dërguar ato për shqyrtim nga një trup gjykues civil i Gjykatës së Shkallës së Pare Tiranë. Lidhur me vendimin për mosshqyrtimin e padisë civile brenda procesit penal, me arsyetimin se do pengohej gjyqi penal, ndërkohë që nuk do ecte sa duhet procesi civil. Gjithashtu, Kolegji Penal u shpreh se palët civile do kenë mundësinë e ankimimit të vendimit në të tria shkallët e gjyqësorit.