Vrasësja serike e Gaddafit

Gjëja e parë që të bie në sy janë buzët e saj ngjyrë trëndafili dhe sytë e saj të mëdhenj ngjyrë kafe, tipare të fytyrës këto të mbështjellë nga një shami. Më pas skena vazhdon me këmbët e saja, të lidhura fortë me zinxhirë, si të ishte një bishë e kapur për së gjalli nga gjahtarët.
E në fakt, masakra që Nisreen Mansour al Forgani ka kryer, është më e madhe se ajo e bishave të egra. 19-vjeçarja, e cila mbahet e burgosur në spitalin ushtarak të Tripolit, është një prej qindra vajzave të stërvitura nga koloneli Muammar Gaddafi për të vrarë.
Kryengritësit e konsiderojnë atë si një vrasëse serike, pasi në betejat për të marrë kryeqytetin libian, Nisreen ka vrarë plotë 11 luftëtarë të të forcave kryengritëse me gjakftohtësi të plotë. E stërvitur për të qenë një snajper dhe për të luftuar deri në vdekje për pushtetin e Gaddafit, tashmë ajo gjendet në duart e kryengritësve dhe pritet të marrë dënimin e saj, që nuk ka dyshim se do jetë ai kapital, dënimi me vdekje.
Nisreen është një nga mijëra vajzat e rekrutuara nga milicia, për të cilat doktorët si dhe vetë kryengritësit janë të bindur se mbi to është ushtruar një trysni e madhe dhe dhe “shpërlarje e vazhdueshme e trurit”. Sipas saj, ushtarakë të lartë pranë Muammar Gaddafit kanë abuzuar seksualisht me të dhe shoqet e saj, ndërkohë që kriter për të hyrë në ushtri ka qenë virgjëria. “Unë u tregova kryengritësve vetë se kam vrarë 11 prej tyre. Ata janë të zemëruar me mua dhe unë nuk e di se çfarë do ndodhë në vazhdim”, shprehet Nisreen, në ditën e saj të dytë të qëndrimit në spitalin Matiga.
Por si mundet një vajzë 19-vjeçare të bëhet pjesë e një skuadre vdekjeprurëse?
Nisreen tregon se familja e saj nuk ka qenë kurrë mbështetëse e regjimit të Gaddafit. Prindërit e saj u ndanë, kur ajo ishte e vogël dhe Nisreen nuk pranoi të jetonte me gruan e re të të atit. Kështu, një shoqe e së ëmës, e cila ishte Shefe e Degës Popullore të Femrave, e mori për ta stërvitur në pretendimin se do i gjente një vend pune.
“Mikesha e shtëpisë” e udhëzoi Nisreen që nëse dëgjon të ëmën të flasë kundër Gaddafit, duhet ta vrasë menjëherë. Vitin e kaluar, Nisreen la kolegjin ku studionte, për tu kujdesur për nënën e saj, por ajo i përmbushte të gjitha kriteret për tu rekrutuar. Ishte e re, e bukur, e virgjër dhe me një tufë hallesh. Sipas saj, në vendin ku ajo u dërgua të stërvitej, ndodheshin dhe 1000 vajza të tjera. Njësia e tyre ndodhej në Brigadën 77, shumë pranë bunkerit famëkeq Bab Al Azizija. Pikërisht në Brigadën 77, Nisreen u përball me përdhunimet e para. Sipas saj, djali i komandantit të repartit, Mansour Dau, vinte në bazë dhe kërkonte pas çdo vizitë nga një vajzë të ndryshme.
“Më mbyllën në një dhomë në lagjen Boslem të Tripolit. Më pas një grua me uniformë ushtarake ngjyrë kaltër më dha një pushkë automatike model AK47.”, shpjegon Nisreen. Sipas saj, aty ndodhi masakra, ku u detyruar të qëllojë 11 kryengritës të arrestuar nga forcat pro regjimit. Vajza-vrasëse tregon se ajo u detyruar të zgjidhte mes jetës së saj dhe të kryengritësve. “Në të kundërt do më vrisnin mua. Kështu unë qëllova 10, ndoshta 11 kryengritës të lidhur. Nuk ua mbaj mend fytyrat dhe mbi të gjitha ata nuk thanë asnjë fjalë. I përkisnin të njëjtit brez dhe disa prej tyre ishin të plagosur, kur mi sollën në dhomë.”, tregon Nisreen Mansour al Forgani. Më pas një grua doktoreshë i hapi derën e dhomës dhe kur pa masakrën shpërtheu në lot. Sipas Nisreen, ajo nuk e kuptonte se si një vajzë 19-vjeçare mund të vrasë për Gaddafin aq shumë njerëz. Në fakt as vetë Nisreen nuk e kupton këtë gjë.
Pasi ajo la dhomën ku kreu masakrën, një prej kryengritësve që kishin rrethuar Tripolin, e qëlloi në shpatull, duke e lënë të plagosur. Kryengritësit e shtruan atë në spital dhe presin që shëndeti i saj të përmirësohet, për t’iu nënshtruar gjykimit. Frika e vetme e Nisreen është që të mos dënohet me vdekje dhe familja e saj të mos mësojë gjë. Sipas kryengritësve, ka shumë vajza të tjera që kanë vrarë me gjakftohtësi dhe nën trysni. Duke iu referuar dëshmive por edhe fakteve, të gjitha vajzat që bënin pjesë në Rojën Popullorë të Grave, janë përdhunuar dhe torturuar rregullisht. Ndërkohë që doktorët dhe kryengritësit po debatojnë se çdo bëhet me këtë kontingjent. Sipas psikologëve, vajzat e reja të ndodhura nën shok nuk kanë qenë të vetëdijshme dhe ato duhen trajtuar, jo vrarë. Në fakt, vetëm një vendim i tillë me mirëkuptimin e kryengritësve mund të shpëtojë Nisreen dhe shoqet e saj nga vdekja.