E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inspektimi, lojërat e fatit ishin pa licencë, bllokohen kompjuterat



Tepelenë - Specialistët e Seksionit kundër Krimit-Ekonomiko Financiar në Policinë e Gjirokastrës, në vijim të operacionit “Gimbal”, dje rreth orës 20:00, kanë ushtruar një kontroll në qytetin e Tepelenës dhe të Memaliajt, në subjektet që ushtrojnë aktivitet të lojërave të fatit. Si rezultat i këtij kontrolli, në njërin prej ambienteve të kontrolluara të shtetasit Vullnet Lato, lindur dhe banues në Memaliaj, u konstatuan 6 makineri elektronike (kompjutera) që shërbejnë për aktivitetin e lojërave të fatit, për të cilat nuk kishte asnjë lloj dokumenti për ushtrimin e këtij aktiviteti. Për këtë arsye u bë sekuestrimi i këtyre makinerive elektronike në cilësinë e provës materiale. Për shtetasin Vullnet Lato u përpiluan materialet e para hetimore që iu përcollën Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për ndjekje në gjendje të lirë për veprën penale “Vënie në dispozicion e lokaleve për lojëra fati të palejuara”.

Kapet Saimir Onuzi, dyshohet si falsifikuesi i vulave dhe formularëve

Gjirokastër – Forcat e policisë së Gjirokastrës kanë mundur të kapin shtetasin Saimir Onuzi, lindur dhe banues në fshatin Nange të Kukësit, pasi Gjykata e Apelit Gjirokastër me vendim të formës së prerë, e ka dënuar këtë shtetas me 4 muaj burg dhe 300 000 lekë të reja gjobë për veprën penale të “Falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve”, e parashikuar nga Neni 190/1 i Kodit Penal. Kapja e këtij shtetasi u bë nga ana e agjentëve dhe specialistëve të Sektorit Operacional në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Kukës. Materialet e ndalimit të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.

Itali, arrestohet shqiptari, akuzohet për shfrytëzim prostitucioni

Një shqiptar 37-vjeçar është arrestuar pasi dyshohet se është autor i disa vjedhjeve si dhe akuzohet për shfrytëzim prostitucioni. Viktima kishte denoncuar shqiptarin në polici.
Karabinierët e Romës kanë ndaluar një emigrant shqiptar, i cili akuzohet për vjedhje, plagosje, shfrytëzim prostitucioni dhe armëmbajtje pa leje. 37-vjeçari është denoncuar në polici nga gruaja me të cilën bashkëjetonte. Sipas dëshmisë së saj, 37-vjeçari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, kishte ushtruar dhunë mbi të dhe e kishte detyruar të ushtronte prostitucion. E reja është shtruar në spital për të marrë mjekimin e duhur për plagët e shkaktuara nga dhuna e 37-vjeçarit.

5 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›