E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji integral për mbrojtjen e fëmijëve, gati në mars



Ligji integral për mbrojtjen e fëmijëve do të jetë gati në muajin mars. Kërkesa publike që kryeministri Sali Berisha i drejtoi në qershor të vitit 2008 Ministrisë së Punës për marrjen e masave të veçanta me qëllim që në rrugët e Shqipërisë të mos ketë më asnjë fëmijë “me dorë të shtrirë”, është drejt plotësimit. Hartimi për herë të parë i një legjislacioni bashkëkohor që ofron mbrojtjen më të mirë për fëmijët është duke përfunduar. Drejtori i Përgjithshëm i Politikave i Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Gjergji Leka, bën të ditur se, aktualisht grupi i punës i ngritur enkas për këtë iniciativë ligjore, po punon për përgatitjen e një analize për çështjet që kanë të bëjnë me fëmijët dhe një analizë ligjore për kuadrin ligjor të fëmijëve. Ky grup pune përbëhet nga përfaqësues të ministrive të linjës dhe të UNICEF-it. Analizat e përgatitura nga ky grup do të jenë gati në muajin shkurt, ndërkohë që një muaj më vonë, në mars do të jetë gati drafti i ligjit integral për fëmijët, i cili, sipas Lekës, do të kalojë në Kuvend gjatë muajit qershor. Së fundi Leka sqaron se ligji integral për mbrojtjen e fëmijëve do të përgjigjet për ato probleme që nga ana ligjore sot janë të pambuluara, në lidhje me të drejtat e fëmijëve dhe kategoritë e tyre.

6 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›