Ligje pa pare
Qeveria e Kosovës po propozon ligje, për të cilat nuk ka para. Është Ligji për riorganizimin e ndërmarrjeve me interes të veçantë, ku përfshihet edhe Trepça, kostoja financiare e të cilit përveç që nuk figuron në buxhetin e këtij viti, nuk parashihet as me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve.
E zbatimi i tij i plotë Qeverisë do t’i kushtojë 5 milionë euro vitin e parë, ndërkaq nga katër milionë euro për vitet tjera.
Përkundër kësaj, Ligji, me të cilin kryesisht do të zgjidhen problemet që kanë ndërmarrjet e interesit të veçantë me borxhlinjtë, është miratuar në parim nga Kuvendi me shumë vërejtje dhe kritika nga deputetët.
Me këtë hiqet mundësia që Trepçës t’i caktohet administrator. Kompetencat për riorganizim të këtyre ndërmarrjeve i kalojnë Dhomës se Veçantë të Gjykatës Supreme dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Megjithatë, deputetët, kryesisht ata të opozitës, përveç kostos financiare, patën shumë vërejtje edhe sa i përket asaj se me këtë ligj më shumë i jepet përparësi interesave të kreditorëve sesa vetë ndërmarrjeve.
Deputetja nga radhët e LDK-së, Teuta Sahatçia, e ka vënë në dyshim zbatimin e tij, duke marr parasysh faktin se kostoja financiare nuk është paraparë as në buxhetin e këtij viti e as në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve. Sipas saj, zbatimi i tij i plotë vetëm për vitin e parë do t’i kushtojë Qeverisë rreth 5 milionë euro. Ndërkaq, për vitet tjera nga katër milionë euro secilin.
“Nga do të vijnë mjetet që do ta shndërrojnë këtë ligj në ligj të zbatueshëm”, ka qenë kërkesa e Sahatçisë drejtuar qeveritarëve.
Për më tepër, deputeti Sali Morina mospërfshirjen e kostos financiare e ka quajtur edhe shkelje të rregullores së Kuvendit. Me këtë të fundit parashihet që kostoja financiare e ligjeve të jetë e harmonizuar me buxhetin.
Nga ana tjetër, ministri për Zhvillim Ekonomik, Besim Beqaj, ka siguruar se ligji do të zbatohet brenda afateve të caktuara, por nuk ka precizuar se prej nga do të vijnë mjetet. Krejt çka ka thënë ai është se ministritë përkatëse do t’i harmonizojnë qëndrimet.
“Ligji do të implementohet brenda afateve që caktohen në ligj”, tha ai.
Veç kësaj, deputeti nga lëvizja “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, thotë se nga ajo që prezanton ky ligj nuk dallon shumë nga rregullorja e UNMIK-ut. Pak a shumë është e paqartë se kush është administratori si dhe roli i menaxhmentit të “Trepçës”, është i padefinuar. Rrezik tjetër, thotë Ymeri, është se pjesa më e madhe e punëtorëve do t’i humbin vendet e tyre të punës.
“Me këtë ligj po punohet më shumë për t’i kënaqur apetitet e kreditoreve sesa vetë ndërmarrjeve”, ka thënë ai.
Pothuajse njëjtë është shprehur edhe ish-ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka-Pula. Ajo këtë projektligj e ka quajtur “cenim të interesave ekonomike të Kosovës”.
“Është në funksion të mbrojtjes së interesave të kreditorëve”, është shprehur Shiroka-Pula.
Ndryshe, Ministria e Financave më herët ka paralajmëruar që nuk do të ketë rishikim të buxhetit këtë vit, me çka e pamundëson që të bëhen ndryshime në mënyrën e shpërndarjes së buxhetit lidhur me këtë çështje.