E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inspektoratet e Punës, bashkëpunim Shqipëri-Kosovë



Zëvendësministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta priti dje në një takim kryeinspektorin e Agjencionit Ekzekutiv të Inspektoratit të Punës të Kosovës, z. Skënder Gashi, me të cilin diskutoi për mundësinë e shtrirjes së bashkëpunimit dypalësh në fushën e inspektimit të punës. Gashi bëri një prezantim të ndërtimit dhe funksionimit të strukturës së AEIP në Kosovë, duke u ndalur edhe në problematikën dhe sfidat me të cilat përballet një institucion i ri, ngritur vetëm në vitin 2002 në shtetin më të ri të Evropës. Kryeinspektori Gashi u ndal mbi çështje teknike të funksionimit të Agjencionit, si ligjet bazë mbi të cilat është ngritur dhe punon, nevoja për ndryshime e përmirësime të tij, konsolidimi i strukturave dhe përmirësimi i punës së tyre. Zv.ministri Sulka, duke u ndalur tek rëndësia që i është dhënë në këto vite forcimit dhe konsolidimit të Inspektoratit Shtetëror të Punës, institucioni homolog i Agjencionit Ekzekutiv të Inspektoratit të Punës të Kosovës, përmendi shtimin e numrit të inspektorëve, përmirësimin e plotësimin e legjislacionit, rritjen e profesionalizmit të strukturave nëpërmjet programeve trajnuese, përmirësimin e infrastrukturës etj.

Shoqata “Tirana”

Enver Maçi dhe Bedri Alimehmeti marrin titullin “Fisnikëria tiranase”

Në vijim të veprimtarive të saj të shumanshme, shoqata “Tirana” (themeluar në dhjetor të vitit 1991), zhvilloi të enjten pasdite në një nga sallat e Muzeut Historik Kombëtar veprimtarinë e radhës me temë ”Vlerat e familjes - vlera të shoqërisë”. Në referatet e tyre, kryetari Arben Tafaj, drejtorja në UNICEF, Arlinda Ymeri (Keçi), zonja Eva Këçiku (Karagjozi), dr. Ismail Demneri e të tjerë, që u ndoqën me mjaft interes nga të pranishmit e shumtë, të cilët mbushnin sallën, ndriçuan disa aspekte pedagogjike-edukative të familjes shqiptare pas viteve ‘90, e në mënyrë të veçantë asaj tiranase që trashëgon vlera të qenësishme qytetare të pakrahasueshme. Në fund të pranishmëve iu shpërnda një libër - broshurë shkruar nga zotërinjtë Ismail Demneri dhe Shyqyri Rreli ku sillen argumente të shumta për traditat historike, patriotike, intelektuale të tiranasve, përkundër disa shkrimeve dhe veprimeve denigruese publikuar në median e shkruar kohët e fundit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›