E Diel, 1 Nëntor 2026

Kartat, 1 milion kuponë janë shitur nga Posta Shqiptare



1 milion shqiptarë kanë tërhequr kuponin pranë Postës Shqiptare për të aplikuar për kartën e identitetit. Burime nga Posta Shqiptare bënë të ditur dje se ka shkuar në rreth 74 mijë numri i shtetasve pa pasaportë që kanë tërhequr kuponin me vlerën 200 lekë bazuar në VKM nr. 419 dhe identifikimit me një nga dokumentet e kërkuara. Procesi i pajisjes së qytetarëve me kuponë, me qëllim aplikimin për letërnjoftimin elektronik po ecën shumë mirë në të gjitha sportelet e Postës Shqiptare në shkallë vendi. Punonjësit e shërbimit postar janë në gatishmëri në shërbimin dyturnësh çdo ditë të javës për të gjithë qytetarët e interesuar në zbatim të vendimeve të Këshillit të Ministrave, por sidomos për kategorinë përfituese (shtetasit pa pasaportë) në zbatim të VKM nr. 419 dhe udhëzimit të Ministrisë së Financave. Deri në tani konfirmohet se numri i qytetarëve shqiptarë që ka tërhequr kuponët për letërnjoftimin elektronik në sportelet e postës ka shkuar në mbi 1 milion kuponë. Vetëm në harkun e pak ditëve numri i shtetasve pa pasaportë që kanë tërhequr kuponin bazuar në VKM dhe udhëzimin e Ministrisë së Financave ka shkuar në rreth 74 mijë, ku rreth 37 mijë prej tyre duke mos gjetur emrin në listat e Ministrisë së Brendshme, kanë plotësuar formularin e vetëdeklarimit duke i bashkëngjitur edhe fotokopjen e një dokumenti identifikimi. Në zyrat postare në të gjithë Shqipërinë janë rimbursuar rreth 120 mijë pensionistë pa pasaportë nga rreth 187 mijë që përfitojnë nga skema e kompensimit. Sqarojmë opinionin publik se Posta Shqiptare bën kompensimin e pensionistëve, ndërsa kategoritë e tjera që përfitojnë nga skema e kompensimit paguhen në institucionet përkatëse si: bashki, komuna, rektorate etj. Drejtuesit e Postës Shqiptare iu bëjnë thirrje të gjithë aktorëve politikë që të ndihmojnë procesin e pajisjes së shtetasve me kuponë për t’u pajisur me letërnjoftimin elektronik, duke i ftuar qytetarët të aplikojnë për marrjen e letërnjoftimit elektronik. Zyrat postare janë të hapura çdo ditë të javës nga e hëna në të shtunë, nga ora 08:00-20:00 dhe të dielën nga ora 08:00 deri në orën 15:00. Iu bëjmë thirrje qytetarëve se për çdo ankesë të mundshme që mund të kenë të telefonojnë në numrin pa pagesë të tel 08004141 ose në numrin 0(4) 2258828. Posta Shqiptare sqaron se shtetasit pa pasaportë, emrat e të cilëve nuk gjenden në lista, nuk do t’iu duhen dy certifikata, pasi në zyrat e postës duhet të paraqesin vetëm fotokopjen e certifikatës, por në momentin e paraqitjes duhet të kenë me vete edhe certifikatën origjinale.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›