E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja “Hoxha”, procesi te Krimet, xhaxhait të Kumbaros i refuzohet dëshmia

Gjykata nuk pranoi dëshminë e Ali Kumbaros, për shkak se është i afërm i Ilir Kumbaros. Katër persona kanë dëshmuar dje në gjyqin e radhës për zhdukjen e Remzi Hoxhës

Tiranë - Procesi “Remzi Hoxha” vijoi dje me të tjera dëshmi. Fillimisht në sallën e gjyqit u paraqit xhaxhai i një prej të pandehurve, Ali Kumbaro. Ky i fundit ngriti pretendimin se nuk dëshironte të dëshmonte për shkak se kishte lidhje gjaku me Ilir Kumbaron. Kërkesa e tij u pranua nga gjykata. Më tej dëshmitarë të ardhur nga Lezha treguan ato çka kishin dijeni përgjatë detyrës që kishin pasur vite më parë si roje në ish-qendrën e SHIK-ut në Vain të Lezhës.
Dëshmitë
Dy ish roje të bazës së SHIK-ut, Mehill Pjetri dhe Llesh Cali thanë se shpesh kishin parë punonjës të SHIK-ut që vinin dhe largoheshin shpesh nga baza, por që sipas tyre nuk kishin njohur ndonjëherë Remzi Hoxhën. Ndërkohë nënoficeri roje i SHIK-ut të Tiranës, në vitet 1993-2006, Hysen Fino pranoi përpara trupit gjykues se e kishin vënë në dijeni që një i ri ishte hedhur nga kati i tretë i godinës së SHIK-ut. Ndërkohë Fino pranoi gjithashtu se ishte takuar me Ilir Kumbaron dhe kishte dëgjuar prej tij se do të largohej nga Shqipëria. Remzi Hoxha, biznesmeni shqiptaro-maqedonas rezulton i zhdukur prej afro 16 vjetësh, pasi u rrëmbye dhe u torturua nga ish punonjës të SHik-ut në vitin 1995.
Dosja
Të pandehurit e këtij procesi janë: Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe. Ata akuzohen për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, si dhe për rrëmbimin dhe torturimin e Ziso Kristopullit dhe të Avdyl Loshajt. Sipas kërkesës për gjykim, katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në shtator-tetor 1995, kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopulli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut. Aty pengjet janë torturuar për disa ditë. Për shkak të torturave ka gjetur vdekjen biznesmeni kosovar Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur. Sipas akuzës, Remzi Hoxha është rrëmbyer mesditën e datës 21 tetor të vitit 1995, në afërsi të firmës së tij të quajtur “Albatros”, e cila prodhonte konstruksione duralumini. Zhdukja e tij është denoncuar publikisht edhe nga familja.

29 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›