E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inspektorët e policisë urdhërohen të regjistrojnë emigrantët

Policia angazhohet për verifikimin
e shtetasve që jetojnë
jashtë vendit. Prej dy
ditësh, inspektorët e rendit
në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të
Fierit kanë nisur procesin e verifikimit
shtëpi më shtëpi, në bazë të
një urdhri të eprorëve të tyre. Urdhri
u është komunikuar inspektorëve të
zonave të ndryshme në rrethet
Lushnjë, Fier e Mallakastër ditën e
shtunë, ndërkohë që është lënë afat
për këtë proces vetëm një periudhë
treditore. E ndërsa shumë nga inspektorët
kanë qenë të favorizuar për
përmbushjen me sukses të këtij
procesi, për shkak të terrenit fushor
të komunave dhe fshatrave që kanë
në patronazh, shumë të tjerë. kryesisht
inspektorët e fshatrave kodrinorë.
e kanë pasur të vështirë dhe
kanë vënë në diskutim urdhrin e
drejtorit. Lajmi konfirmohet për
gazetën "Shqip" si nga inspektorët
e rendit që kanë nisur regjistrimin e
popullsisë shtëpi më shtëpi, edhe
nga drejtori i policisë së qarkut,
Shemsi Premçi, i cili ka pohuar se
"është një proces për të verifikuar
numrin e emigrantëve, me qëllim
që kjo kategori qytetarësh të lihet për
në një fazë të dytë për t‘u pajisur me
letërnjoftimet e reja".
Por urdhri nuk është pritur mirë
nga inspektorët e policisë, të cilët
tashmë duhet që përveç ruajtjes së
rendit dhe qetësisë publike në
zonat e tyre, duhet të shkojnë shtëpi
më shtëpi për të shënuar emrat e
emigrantëve. Inspektorët e zonës së
Mallakastrës dhe ata të zonës kodrinore
të Fierit e kanë kundërshtu-
ar këtë urdhër dhe kanë kërkuar një
afat më të gjatë për verifikimin e
emigrantëve. Sipas këtyre inspektorëve,
është e pamundur "shkelja"
e çdo banese në fshatrat e Mallakastrës,
ku lagjet janë larg njëra-tjetrës
në maja kodrash ku shpesh nuk ka
rrugë makine. Në këtë rreth, pothuaj
të gjithë inspektorët kanë shprehur
të njëjtin shqetësim. Ndërsa në Rrethin
e Fierit, inspektorët e komunave
që janë vendosur në zonën
fushore e kanë përfunduar pothuaj
70 për qind të verifikimit që u është
kërkuar. Në Fier, inspektorët që
paraqesin probleme në realizimin
shumë shpejt të këtij urdhri janë ata
që kanë në mbikëqyrje fshatra të
tillë si Buzëmadhi, Ada, Kallm-
Kashishti, Vidhishta, Ruzhdia,
Siqeca etj. Prej dy ditësh, të gjitha
pikat e internetit në qytetin e Fierit,
Patosit e Ballshit janë mbushur
me inspektorë rendi, të cilët përpunojnë
në kompjuterë listat e emigrantëve
të zonave të tyre. Edhe
kjo fazë është kundërshtuar nga
inspektorët, pasi shpenzimi për
realizimin e një liste të tillë ka një
kosto deri në 3 mijë lekë, që duhet
ta përballojnë vetë dhe u merr kohë
pune, që nuk paguhet. Sipas inspektorëve
që po shkojnë drejt fundit
të këtij procesi, mësohet se afro
20 për qind e popullsisë së Qarkut
të Fierit përbëhet nga emigrantët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›