E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Kartat, një proces i mbushur me probleme

Partia Socialiste shprehu dje indinjatën e saj në lidhje me deklarimet
e zëvendësministrit të Brendshëm, Ferdinand Poni për sa
i takon kartave të identitetit. "Ajo që po ndodh në realitet është
një proces i mbushur me shumë probleme dhe që qeveria me dashje
apo pa dashje po përkeqëson një çështje që i përket kryesisht asaj",
sqaroi Damian Gjiknuri. Ai i kujtoi qeverisë se është ajo që gënjeu
publikun kur deklaroi se brenda muajit shkurt, zyrat e aplikimit do të
shtriheshin në të gjithë vendin, kur në fakt, sot janë hapur jo më shumë
se 80 të tilla. "Ajo që, pavarësisht nga detyrimi që buron nga VKM 50,
apo edhe detyrimi që parashikon Kodi Zgjedhor, nuk ka bërë asnjë
informim periodik se sa zgjedhës pa pasaportë kanë aplikuar", u shpreh
Gjiknuri. Nuk është përgjegjësi e opozitës, vijoi ai, por vetëm e qeverisë,
që nuk ka zhvilluar fushatën e duhur për informimin e qytetarëve
për këtë proces, si dhe sanksionet që lidhen me to. "Mjafton të hyni në
faqen e internetit të Ministrisë së Brendshme dhe do të shikoni që nuk
ka asnjë informacion për këtë proces, përveç ndonjë deklaratë të zotit
Poni", u shpreh Gjiknuri. PS kujtoi sakaq edhe refuzimin për ngritjen
e një komisioni "ad hoc" monitorues, për të bërë të qartë se ku fillojnë
dhe ku mbarojnë përgjegjësitë e saj politike në këtë proces.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›