Inspektori i bashkisë, mblidhte taksa dhe nuk i depozitonte
Arrestimi i Ernest Shishmanit, 35-vjeçar, me detyrë inspektor i taksave të parkimit pranë bashkisë së qytetit, është bërë në momentin kur ai po priste një mandat arkëtimi prej 7500 lekësh
Korçë Hetimi disamujor ndaj një inspektori të taksave të parkimit ka çuar në prangosjen e tij, pasi i vilte taksat nuk i dorëzonte në bashki, por i merrte për vete.
Një taksambledhës i Bashkisë Korçë është arrestuar gjatë një operacioni të Drejtorisë së Policisë në Korçë, i koduar me emërtimin “Taksambledhësi”. Ernest Shishmani, 35-vjeçar, me detyrë inspektor i taksave të parkimit pranë bashkisë së qytetit, në kundërshtim me ligjin dhe duke abuzuar me detyrën, mblidhte taksat të cilat nuk i shoqëronte me biletat e posaçme për t’ua dhënë të interesuarve.
Zbulimi
Por nuk mjafton me kaq veprimtaria e Shishmanit, banor i lagjes 17 në qytetin juglindor. Mësohet gjithashtu se inspektori në fjalë vidhte pjesën më të madhe të taksave që grumbullonte gjatë vjeljes së tyre, duke përfituar në këtë mënyrë sasi të mëdha të hollash, të cilat nuk i derdhte në arkën e institucionit ku punonte. Pas një sinjalizimi të ardhur pranë policisë lokale, kanë filluar hetimet për çështjen në fjalë, ndërsa për tre muaj me radhë është vënë nën vëzhgim të plotë inspektori që ka përfunduar në pranga. Mësohet nga të njëjtat burime se Ernest Shishmani është mbajtur nën kontroll të plotë për të gjithë veprimtarinë e tij gjatë kohës që ishte nën hetim pas sinjalizimit të ardhur nga një qytetar që është ankuar për vjeljen e gjobave për mjetet e parkuara dhe lekët e këtyre gjobave i mbante për vete, duke mos i shoqëruar me faturën përkatëse.
Arrestimi
Arrestimi i Shishmanit ka ndodhur gjatë pasdites së të martës, ndërsa gjatë prangosjes i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale bileta parkimi, mandate arkëtimi si dhe 7500 lekë të reja që i kishte me vete. Inspektori në fjalë do të përballet para drejtësisë me dy akuza, ajo e “Shpërdorim detyre” si dhe veprën penale ”Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, ndërsa gjatë momentit të arrestimit 35-vjeçari nuk ka pranuar asnjë akuzë për ato që i ka bërë të ditura policia. Irena Vreto