E Diel, 1 Nëntor 2026

Klandestinë drejt Kanadasë me ekipin e pingpongut, pranga kreut të Federatës

SHKRUAN: Leonard Bakillari 26-10-2011 15:21

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Pingpongut, Arben Sorra dhe pronari i një argjendarie, i arrestuar edhe për tragjedinë e 9 Janarit 2004, akuzohen se kanë marrë nga 5-15 mijë euro nga shtatë persona, të cilët donin të shkonin ilegalisht në Kanada

Tiranë Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së pingpongut dhe një bashkëpunëtor i tij kanë përfunduar në pranga, si të dyshuar për korrupsion. Arben Sorra, 52 vjeç dhe Çlirim Sukaj, 34 vjeç, janë arrestuar mbrëmjen e së hënës, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të dërgojnë disa persona në Kanada, kundrejt shumave të konsiderueshme monetare. Operacioni SCORING, i realizuar nga Drejtoria kundër Krimit Financiar dhe “Task-Forcë” në Prokurorinë e Tiranës, nisi mbrëmjen e së hënës për të përfunduar paraditen e djeshme me dy të arrestuar dhe një të shpallur në kërkim, i cili përkohësisht ndodhet jashtë vendit. Sipas policisë, të tre personat dyshohet se gjatë një periudhe 2-mujore kanë gjetur 7 persona të interesuar për të emigruar drejt Kanadasë dhe nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, i kanë paraqitur ata si pjesë e ekipit kombëtar të pingpongut, të cilët do të merrnin pjesë në një aktivitet ndërkombëtar. “Këto veprime të paligjshme janë kryer prej tyre duke përfituar nga detyra e shtetasit Arben Sorra si sekretar i Federatës, përmes së cilës kanë siguruar ofertën për pjesëmarrjen e ekipit kombëtar në një turne ndërkombëtar pingpongu, që do zhvillohej në Kanada në fund të muajit shtator 2011”, - tha dje policia. Sipas burimeve, mësohet se të arrestuarit kanë marrë nga personat e interesuar nga 5 deri në 15 mijë euro për dërgimin e tyre në Kanada, veprim të cilin nuk kanë mundur ta realizojnë për shkak të refuzimit të vizave nga konsullata kanadeze në Romë. Hetimet për këtë veprimtari korruptive kanë nisur në gusht të këtij viti, gjatë një hetimi që po kryhej nga prokuroria e Shkodrës, kur nga bisedat telefonike rezultonte se shtetasi Çlirim Sukaj, pronar i një argjendarie, ishte përfshirë në një aktivitet të paligjshëm. Hetimet për këtë rast janë transferuar në njësinë “Task-Forcë” në Tiranë, e cila në bashkëpunim me policinë kanë kryer hetimet, duke zbardhur edhe skemën ku dyshohet se është përfshirë edhe sekretari i Federatës së Pingpongut. Sipas hetimit, rezulton se Arben Sorra, duke shfrytëzuar detyrën e tij dhe njohjen me Çlirim Sukajn, i ka ofruar këtij të fundit mundësinë e dërgimit të personave të interesuar drejt Kanadasë kundrejt pagesës që varionte nga 5 deri në 15 mijë euro. Këto veprime janë kryer në kohë rekord nga të arrestuarit, pasi në fund të muajt shtator në Otava zhvillohej një aktivitet ndërkombëtar, ku do të merrte pjesë edhe ekipi kombëtar shqiptar i Pingpongut. Gjatë kësaj kohe Sukaj dhe personi tjetër i shpallur në kërkim kanë arritur të sigurojnë të paktën 7 persona, të cilët kanë qenë të gatshëm të paguajnë shumat e parave të kërkuara. Fillimisht “viktimave” u është kërkuar të plotësojnë disa dokumente të nevojshme për udhëtimin dhe nëpërmjet sekretarit të Federatës së Pingpongut ata janë futur në listën e ekipit kombëtar që do të udhëtonte drejt Kanadasë.

Emrat e “klandestinëve” kaluan nga ministria

Lista me emrat e klandestinëve i është përcjellë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe kjo e fundit i ka dërguar në konsullatën kanadeze në Romë. Por plani nuk ka funksionuar ashtu siç ishte parashikuar, pasi konsullata kanadeze ka refuzuar dhënien e vizave, duke vënë kështu në vështirësi personat që kishin marrë përsipër mbylljen e kësaj pune. Më pas, Sorra dhe Sukaj u kanë kthyer paratë disa personave, por një pjesë të tyre i kanë mbajtur me shpresën se udhëtimi i tyre do të realizohej së shpejti. Sipas policisë, të arrestuarit akuzohen për “korrupsion pasiv dhe aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “falsifikimi i dokumenteve nga personi që ka për detyrë t’i lëshojë ato”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›