E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inspektoriati Ndërtimor dhe policia bashkiake: Çdo ndërtim pa leje do të prishet

TIRANË- Inspektoriati Ndërtimor dhe Policia Bashkiake kanë prishur sot një shtesë pa leje, në rrugën ”Vangjush Furxhi”, në njësinë bashkiake nr.10.

Drejtori i Inspektoriatit të Ndërtimit Florenc Hoxha dhe Drejtori i Policisë Bashkiake, Vullnet Topalli kanë garantuar sot të gjithë qytetarët e Tiranës, se çdo ndërtim pa leje do të prishet, sikundër territori i bashkisë do të monitorohet gjatë 24 orëve.

“U bëjmë sërish thirrje qytetarëve, që të mos shpenzojnë para, për të ndërtuar pa leje, pasi çdo objekt i kundra-ligjshëm do të goditet nga ana jonë dhe do të zbatojmë ligjin, pothuajse në të gjithë objektet e ndërtuara. Ne kemi bërë edhe një plan të organizuar, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, që ky territor të mbahet nën vëzhgim 24 orë në 24, për të parandaluar çdo ndërtim të paligjshëm”, u shpreh Hoxha.

Nga ana e tij, Drejtori i Policisë Bashkiake, Vullnet Topalli theksoi se Policia Bashkiake dhe Inspektoriati Ndërtimor do të godasin pa hezitim cilindo person që ka marrë përsipër të ndërtojë pa leje në të gjithë territorin e bashkisë së Tiranës.

“Njëkohësisht, shfrytëzoj rastin t’u bëj apel të gjithë atyre qytetarëve që kanë ndërmend të marrin iniciativa të tilla, të mos marrin përsipër, sepse çdo rast do të konstatohet nga Policia Bashkiake dhe do të goditet, në bashkëpunim me Inspektoriatin e Ndërtimit. Nuk do të lejohet asnjë ndërtim pa leje dhe do të prishen edhe ato ndërtime që deri më tani janë ndërtuar në mënyrë të kundra-ligjshme. Faleminderit!”, u shpreh Topalli.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›