E Diel, 1 Nëntor 2026

Milionat që përfiton Shqipëria nga TAP-i, investime dhe energji të lirë

tapTiranë- Kalimi i gazsjellësit TAP në Shqipëri sipas ekspertëve nënkupton një sërë investimesh dhe energji të lirë për vendin tonë. Specialistët e universitetit prestigjoz të Oksfordit kanë përllogaritur përfitimet që do të ketë ekonomia shqiptare nga ndërtimi i gazsjellësit transadriatik e përfshirja e Shqipërisë në këtë projekt gjigand, i vlerësuar sot nga kryeministri Berisha si më i madhi në Evropë.

Referuar raportit të Oksfordit në fazën e ndërtimit të TAP-it që do të zgjasë nga viti 2015 deri në vitin 2018, projekti do të gjenerojë 157 milionë euro shtesë në prodhimin e përgjithshëm kombëtar dhe të krijojë mesatarisht 2.900 vende pune në vit.

Ndërtimi i bizneseve të reja të lidhura me këtë industri, është një tjetër përfitim që merr Shqipëria nga TAP-i. Ai do të rrisë prodhimin kombëtar edhe me 110 milionë euro të tjera shtesë duke krijuar edhe 3900 vende të reja pune,-thuhet në raport.

Raporti vlerëson se shpenzimet e punonjësve të punësuar në projekt ose aktivitete të lidhura me të do të jetë një tjetër shtesë prej 110 milionë eurosh në prodhim dhe 460 vende të reja pune në vendin tonë.

Studimi thotë se projekti do të gjenerojë 40 milionë euro të ardhura për buxhetin në periudhën 2015-2018. Kurse në 20 vjet ekspertët e Oksfordit thonë se ekonomia shqiptare do të përfitojë deri në 1 miliardë euro.

Komisioneri i Entit Rregullator të Energjisë, Shkëlqim Bozdo tha se TAP-i zbut problemet energjetike në vend.

Cilado të jetë kërkesa për gaz, TAP-i ka marrë përsipër mbulimin e saj dhe në cdo dy vjet do bëhet rivlerësimi që nëse ka rritje të kërkesës do të shtohet kapaciteti furnizues për Shqipërinë,-tha ai, duke theksuar se projekti ul deri në 30 për qind kostot që paguajnë sot familjet për ngrohje apo edhe gatim.

TAP-i është një investim disa miliardë dollarësh që kalon përmes Shqipërisë dhe përfundon në Itali. TAP-i mundi Nabuço-n dhe për të është lobuar fuqishëm në Azerbajxhan nga kryeministri në ikje, Sali Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›