E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, 48 familje të pastreha, peng i këshillit bashkiak

Debatet pa fund mes anëtarëve të këshillit kanë bërë që edhe një herë të pastrehët të mbeten në mëshirë të fatit


DURRËS - Bllokohet shpërndarja e 48 banesave për të pastrehët e qytetit të Durrësit.


Mbledhja e Këshillit Bashkiak që u bë për të realizuar këtë shpërndarje qe një dështim i radhës, pasi përveç debateve të shumta që rezultuan shterpë përderisa nuk patën një rezultat të caktuar, i lanë edhe këtë radhë të pastrehët e Durrësit pa banesa.
Mazhoranca e djathtë ka debatuar ashpër me kryebashkiakun Dako dhe replikat e shumta patën një ngritje intensiteti deri në bezdi.


Pas leximit të listës së emrave të miratuar në projekt-vendim për shpërndarjen e 48 apartamenteve, janë ndezur debatet midis palëve kundërshtare në Këshillin Bashkiak, të cilët nuk arritën që të bien dakord me listën e propozuar. Në këtë debat palët qenë të pozicionuara: PD e LSI në njërin krah, si dhe PS në krahun tjetër. LSI-ja ishte një aleate e zgjedhjeve lokale që kishte anuar ndjeshëm balancën në këtë mbledhje.


Sipas grupit të PD-së e LSI-së, lista emërore është përzgjedhur në mënyrë jotransparente nga përfaqësuesit e Bashkisë së Durrësit. Përfaqësuesit e mazhorancës së gjerë tashmë kanë deklaruar se brenda listës janë futur familje që nuk e meritojnë të përfitojnë apartamentet e ndërtuara për të pastrehët.


Kryebashkiaku Vangjush Dako në debat me ta ka deklaruar se "këshilltarët demokratë kërkojnë listën e plotë të 506 kërkesave të të pastrehëve që aplikuan për të përfituar shtëpi, por një gjë e tillë nuk është e mundur". Ai theksoi se përzgjedhja e emrave bëhet sipas ligjeve, ndaj nuk është ligjore që të rishqyrtohet lista e plotë në Këshill.


Por kryetari i grupit demokrat në këtë këshill, Seid Kërtusha, deklaroi se lista me 48 emrat e pastrehëve nuk është bërë në mënyrë transparente. Në këtë situate, kur asnjëra prej palëve nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët, mbledhja është mbyllur pa u marrë asnjë vendim.


Problem i mosfunksionimit të mekanizmit të shpërndarjes së banesave për të pastrehët në Durrës është shumëvjeçar. Si shkak kanë shërbyer përplasjet politike, si dhe interesat e ngushta politike të grupimeve të Këshillit Bashkiak, të cilat kanë shtyrë mbledhjen prej kohësh, duke i lënë 48 apartamentet në mëshirë të fatit.


Në Bashkinë e Durrësit mësohet se janë mbi 6 mijë familje që kanë përfituar statusin e të pastrehëve duke përbërë kështu një prej problemeve më të mëdha me karakter social në këtë qytet.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›