E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS dorëzon në prokurori padinë ndaj kreut të PD-së

Tahiri: Ka kërcënuar deputetin Taulant Balla në vitin 2009

Fyerjet dhe kërcënimet e Kryeministrit Sali Berisha ndaj deputetit socialist Taulant Balla, në seancën plenare të 22 korrikut 2008 do të jenë objekt i Prokurorisë së Përgjithshme. Në emër të grupit parlamentar të PS, deputeti Saimir Tahiri ka depozituar dje një padi penale për Kryeministrin Sali Berisha, ndaj të cilit tanimë kërkohet heqja e imunitetit të deputetit. Në një prononcim për mediat, deputeti socialist ka shprehur optimizmin për hetimin e shpejtë të çështjes, që sipas tij i shtohet dosjes së kallëzimeve që PS ka bërë ndaj Berishës si një përsëritës kur vjen puna te shkelja e ligjit. “Kam ardhur për të bërë një kallëzim penal ndaj shtetasit Sali Ramë Berisha, njëkohësisht Kryeministër i vendit për kanosje për shkak të detyrës dhe për fyerje për shkak të detyrës ndaj deputetit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në seancat e vitit 2008...shpresojmë dhe kemi gjithë besimin që Prokuroria e Përgjithshme do të nisë hetimin penal me shpejtësi dhe me efikasitet, duke kërkuar heqjen e imunitetit të z. Berisha dhe ndjekjen penale ndaj tij”, u shpreh Tahiri. Ky reagim i selisë rozë u paralajmërua në fakt nga deputeti Balla, i cili një javë më parë deklaroi gatishmërinë për të paditur Berishën. Ndërkohë një shkak më shumë për këtë nismë të opozitës është edhe padia që grupi i PD, ka bërë ndaj deputetit socialist Tom Doshi, i cili u përfshi në një incident me kolegun e tij demokrat Gent Strazimiri.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›