E Diel, 1 Nëntor 2026

Institucionet shmangin regjistrimin e mjeteve

• ELBASAN - Institucionet vendore në Elbasan shmangin detyrimet kundrejt organeve të tjera shtetërore.Një problem shqetësues është konstatuar prej kohësh në lidhje me mosderdhjen e taksës së automjeteve, me të cilët lëvizin nëpunësit e administratës. Mësohet se në këtë listë renditet Prefektura, Bashkia dhe disa komuna, të cilat nuk bëjnë kontrollin e automjeteve e për pasojë nuk kanë paguar taksën e regjistrimit. Në një prononcim për gazetën "Panorama", drejtori i degës së Tatim-Taksave në Elbasan, Skënder Daja është shprehur se: "Shqetësim i yni dhe që mbartet me kohë kanë qenë automjetet, të cilat nuk kanë kaluar kontrollin teknik dhe aktualisht nuk kanë paguar taksën e regjistrimit. Taksë kjo, e cila shkon në të ardhurat e Tatimeve. Vitin e kaluar ka qenë një numër shumë i madh automjetesh, rreth 1400 dhe aktualisht rreth 980 automjete, të cilat nuk kanë bërë kontrollin teknik". Ndër to, sipas Dajës janë dhe makinat e institucioneve shtetërore, të cilat nuk kanë kryer kontrollin teknik të automjeteve të tyre dhe detyrimisht nuk kanë paguar as taksën e regjistrimit. Institucionet që nuk kanë paguar këtë taksë dhe që nuk janë paraqitur për të bërë kontrollin teknik janë Prefektura, Bashkia, komuna e institucionet arsimore. "Kjo krijon dhe problemet tona lidhur me evidentimin e këtyre subjekteve, institucioneve që kanë automjete dhe nuk kanë paguar taksën e regjistrimit", shtoi Daja. Disa herë ai e ka ngritur këtë shqetësim në mbledhjet e përbashkëta të kryera në Prefekturë, duke i kërkuar drejtuesve të organeve të ndryshme shtetërore të marrin masa për zgjidhjen e situatës.                                    a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›