E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbrojtja e policia: Fund kërkimeve për helikopterin "e rrëzuar" në Alpe

• TIRANE - Autoritetet shqiptare lajmëruan dje zyrtarisht mbylljen e operacionit të kërkim-shpëtimit për helikopterin që u dyshua se ishte rrëzuar në veri të Shqipërisë.Sipas deklaratës së Qendrës së Përbashkët të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, operacioni zgjati 45 orë. Gjatë kësaj kohe, të martën dhe të mërkurën, policia dhe ushtria shqiptare zhvilluan kërkime në zonën e Majës së Jezercës dhe më gjerë në Alpe, për gjurmë të helikopterit që besohej se ishte rrëzuar në veri të vendit. "Vrojtimi i helikopterëve të Forcave Ajrore të FA të vendit e të Policisë së Shtetit, që u dërguan në koordinatat e dhëna nga RCC Romë në mëngjesin e datës 4 mars, duke e vlerësuar si rast specifik emergjent, si dhe vajtja në kushte tejet të vështira atmosferike të strukturave të policisë, në bashkëpunim me organet e pushtetit vendor dhe të banorëve të zonës përreth, në rrugë tokësore, nuk hasi në asnjë gjurmë të mjetit të dyshuar", thuhet në deklaratën e Qendrës së Përbashkët Operacionale të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes. Kjo e fundit deklaroi dje se për shkak se nuk u gjet asnjë gjurmë e helikopterit, u përcaktua dhe u vlerësua nga Shtabi i Emergjencës mbyllja e operacionit, mbasi verifikimi i zonës si nga ajri ashtu edhe nga toka nuk solli asnjë të dhënë apo gjurmë të objektit fluturues që dyshohej se ishte helikopter. Mëngjesin e të martës, rreth orës 04:25, është interceptuar sinjali SOS i dhënë nga një mjet fluturues. Sinjali përkonte me koordinatat 49 gradë, 21 minuta e 04 sekonda, e cila ndodhet në hapësirën ajrore shqiptare. Për këtë shkak, strukturat e ushtrisë dhe policisë u vunë në alarm. Të martën në mesditë banorë të fshatrave rrëzë Majës së Jezercës pretenduan se kishin dëgjuar një shpërthim. Kjo përforcoi më shumë dyshimet për rrëzimin e helikopterit në atë zonë, ku në fakt kërkimet nuk gjetën asnjë gjurmë.                         tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›