E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta masive për varfërinë e qytetarëve të Gjirokastrës

• GJIROKASTER - Partia Socialiste e Gjirokastrës ka paralajmëruar protesta masive të qytetarëve kundër pasojat negative të politikës së djathtë.Sipas kryetarit socialist, Florijan Hysi, forca e tij politike do të marrë përsipër organizimin e këtyre protestave që kanë në themel denoncimin e politikave varfëruese të shqiptarëve. "Qyteti i Gjirokastrës është pushtuar nga varfëria e tejskajshme", deklaroi ai. "Me dhjetëra biznese të 'tmerruar' nga mungesa e energjisë elektrike apo nga gjobat e tatimorëve, kanë mbyllur aktivitetin ose janë larguar jashtë shtetit", akuzoi ai. Kjo, sipas Hysit ka bërë që "armata" e të papunëve në Gjirokastër, të rritet përditë e më shumë. Sipas liderit socialist të Gjirokastrës, është e pamundur të gjesh dyqane ushqimesh pa lista të pafundme borxhlinjsh dhe se në këto lista figurojnë gjysma e qytetarëve. "Listave për bukën e gojës së fundi u janë shtuar edhe listat për ilaçe nëpër farmaci. Qytetarët e sëmurë që nuk kanë asnjë burim të ardhurash drejtohen në farmaci për të marrë ilaçet duke shënuar emrin në fletoren e borxhlinjve dhe kjo përbën një tjetër 'sukses' për këtë qeveri", ka përfunduar ai. Ndër të tjera Hysi ka përmendur edhe mungesën e kujdesit të qeverisë për zonën muzeale të qytetit. "Ajo po shembet përditë ndërsa vlerat muzeale po rrënohen", ka pohuar Hysi. Në vijim, Hysi është ndalur edhe te largimet nga puna për motive politike. Sipas tij, largimet për motive politike nga puna, korrupsioni dhe vjedhjet janë prezente në çdo institucion që drejtohen nga militantët e PD në Gjirokastër.                            p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›