Kapen 76 kg drogë, me kalë drejt Greqisë
• Një sasi kanabisi që kishte për qëllim të transportohej drejt Greqisë është zbuluar nga Policia e Gjirokastrës gjatë orëve të vona të mbrëmjes së të mërkurës.GJIROKASTER/ PIRO NASELajmi u bë i ditur për "Panorama" nga burime pranë policisë së qytetit juglindor. Burimet kanë pohuar arrestimin e Selman Shehut, 27 vjeç, i cili me anën e një kafshe pune po tentonte të kalonte përtej kufirit shtetëror një sasi të konsiderueshme droge, si dhe bëjnë të ditur sekuestrimin kësaj lënde. Sipas policisë, sasia narkotike me një peshë 76 kg ishte ngarkuar në shpinën e një kali, i cili ishte nën pronësinë e 27-vjeçarit. Ngjarja ka ndodhur pikërisht në vendin e quajtur "Ish-perimorja", 100 metra në veri të liqenit të Doftisë, afër fshatit Bulo të Gjirokastrës. Një informacion i siguruar nga një person i infiltruar, i cili kishte dijeni për transportimin e lëndës narkotike drejt shtetit fqinj, ka vënë në lëvizje sektorin e luftës kundër krimit të organizuar në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës për të ndërmarrë një aksion për ndalimin e 27-vjeçarit. Operacioni i pagëzuar me emrin "Ngarkesë e Ndaluar" ka rezultuar i suksesshëm për uniformat blu, pasi përveç ngarkesës narkotike të sekuestruar, u arrestua edhe personi që e dispononte atë. Selman Shehu nga qyteti i Libohovës është vënë menjëherë në pranga, pasi rezultoi të ishte administrues i sasisë narkotike kanabis-sativa. Mësohet se droga ka qenë e paketuar në sasi një kilogramëshe në formë cilindrike të mbështjella me letër ngjitëse ngjyrë kafe. E gjithë sasia ka qenë e futur në tri çanta shpine me ngjyrë të zezë. Menjëherë pas arrestimit, Shehu është dërguar në Komisariatin e Policisë së Gjirokastrës, ndërsa lënda narkotike është bllokuar nën cilësinë e provës materiale. Burimet policore pohuan se mbi Shehun rëndon vepra penale e "trafikut të lëndëve narkotike", ndërsa po punohet për zbulimin e personave të tjerë që mendohen të jenë pjesëmarrës në këtë trafik ilegal të lëndëve narkotike. Kjo çështje është përcjellë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë. Rasti i djeshëm është i katërti i evidentuar nga forcat e Policisë së Gjirokastrës gjatë dy muajve të fundit.