E Diel, 1 Nëntor 2026

Instituti Albanologjik promovon fustane

Në ditët e fundit të 2012-s Instituti Albanologjik i Prishtinës kishte intensifikuar punët për përfundimin e ueb-faqes së re. 

Profilet e punonjësve shkencorë të Institutit, veprimtaria botuese e ajo shkencore, biblioteka e koleksioni i eksponateve do të zinin vend aty.

Është planifikuar që publikimi i saj të bëhet në gjysmën e dytë të janarit.

Por dikush është ngutur me publikimin e saj.

Faqja zyrtare në adresën “institutialbanologjik.com” të shtunën ka qenë aktive. Aty shfaqen imazhe që nuk kanë të bëjnë asgjë, as me këtë institucion e as me Kosovën. Fustane nusërie, pamje të fushave e qyteteve të mëdha që s’janë në Kosovë fare, e deri te kompleksi memorial “Adem Jashari” bashkë me foto tjera të heroit legjendar, janë po ashtu në përmbajtjen e kësaj faqeje.

Aty ku do të duhet të flitej për shkencë, nuk mungojnë as imazhet e rap - artistit të njohur T.I., shkruan sot gazeta Koha Ditore.

Menaxhmenti i IAP-it thonë se faqja është lansuar pa u bërë ende publike dhe se ky është një lëshim.

Drejtori Hysen Matoshi ka thënë se kjo përgjegjësi është e sekretarit shkencor, Lulzim Lajçi, teksa nuk ka pasur koment për këtë gafë.

E Lajçi, - teksa ka thënë se është i vetmi që e ka fjalëkalimin e kësaj faqeje, pos atyre të kompanisë “Alba Soft” që ka bërë dizajnin e faqes, ka garantuar se do ta bllokojë menjëherë qasjen në këtë faqe deri në lansimin e saj zyrtar./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›