E Diel, 1 Nëntor 2026

“Instituti i Kurrikulave nuk bën asgjë. Programet janë përtokë”

Autori i Lajmit: red.
“Instituti i Kurrikulave nuk bën asgjë. Tekstet i bëjmë ne si mësues. Edhe propozimet për temat. Programet që na vë përpara Instituti i Kurrikulave, janë copë-copë. Jemi ne si mësues që duhet t i detajojmë, të mbushim temat”. Pakënaqësia e shprehur për nivelin e teksteve, nga mësuesja e matematikës Mimoza Çela, në gjimnazin “Eqrem Çabej” shkon edhe më tej, kur thotë: “Librat janë me ushtrime të zgjidhura gabim. Tekstet jo vetëm që kanë boshllëqe, por as nuk përshtaten me nivelet e ndryshme të nxënësve. Ka tema që janë shumë të vështira edhe për nxënës shumë të mirë. Ushtrimet e teksteve nuk u përshtaten objektivave të orës së mësimit. Gjithë këto mangësi duhet t i plotësojë mësuesi.” Sipas saj, kështu si punon Instituti i Kurrikulave, më mirë le të mos jetë fare.
Tekstet alternative nuk kanë të njëjtat standarde, nuk i mësojnë fëmijët njësoj
Për më tepër, tekstet alternative nuk kanë të njëjtat standarde dhe këtë e konstaton sidomos në tekstet e 9-Vjeçares. “Matematika vuan më pak nga ky problem, por të shikosh tekstet e tjera, sidomos të shkollës 9-Vjeçare, kanë disnivele të mëdha. Unë kam fëmijët e mi. Të duash të ndërrosh shkollën e fëmijës, i shkakton një çoroditje të vërtetë. Secila shkollë zgjedh sipas nivelit të nxënësve të saj tekstin alternativ; disa punojnë me tekste tepër të thjeshtuara, e disa me tekste tepër të ngarkuara. Por shkolla shqiptare pretendohet se ka një program unik dhe ky program duhet të jetë i njëjtë për të gjitha shkollat”. Zysha e matematikës tek “Çabej” shton se tekste të ndryshme kanë standarde të ndryshme dhe se ndonëse pretendohet, që të gjitha janë hartuar për të përvetësuar të njëjtin program të MASH-it, realisht nuk mund të zotërohet i gjithë programi me çdo lloj teksti. Jo vetëm si mësuese, por edhe si prind nxënësi thotë, Mimoza mendon se duhet të caktohen me një komision të gjitha temat që duhet të përmbajë në mënyrë të detyrueshme çdo tekst, pasi në gjendjen aktuale, shumë tema nuk ekzistojnë në të gjitha tekstet alternative. Kjo pastaj sjell probleme në testimin e nxënësve. “Të përfshihen të gjitha temat në çdo tekst, pastaj, shkalla e zgjerimit të çdo teme le të jetë e ndryshme,- thotë ajo. Por jo kështu: T i testosh nxënësit e një shkolle, dalin pyetje që nuk janë asimiluar nga tekstet”.
Lidhur me zbatimin e programeve mësimore në gjimnaze, mësuesja e shkollës “Çabej” thotë: “Profili shoqëror bën vetëm 2 orë matematikë në javë. Si do t i përgjigjet nivelit të provimit shtetëror me kaq pak orë?!” Me këtë fakt, ajo shpjegon edhe rezultatet e dobëta të nxënësve në maturën shtetërore, ku në shkollën e saj nuk e kalojnë nivelin minimal në matematikë më tepër se 27% e nxënësve, edhe pse kopja funksionoi. Në këtë pikë edhe mësues të tjerë janë shprehur se në maturën shtetërore mbikqyrja nuk ka qenë e fortë kudo njëlloj. Atje ku administratorët kanë qenë tolerantë, nxënësit janë “ndihmuar” duke u treguar ose duke bërë një sy qorr për kopjet.

Sektori i trajnimit të DAR: Ne parashikuam zhvillimet e reformës
Çështja e programeve dhe mësimdhënies në klasa e pesta e të nënta për këtë reformë, nga DAR ka nisur të parapërgatitet pa pritur ndonjë urdhër (i cili doli me shumë vonesë, andej nga maji). Një nga specialistet e DAR thotë se bënë të pamundurën për të vënë në vijë mbarëvajtjen e reformës në arsimin bazë dhe stafi i specialistëve me mësuesit e fillores janë mbledhur dhe kanë biseduar disa herë. Sipas specialistëve të DAR, tekstet e klasës së nëntë janë më afër klasës së tetë sesa vitit të parë si për nga struktura, edhe për nga vështirësia. janë më afër me të tetën, por për nga njohuritë e reja, janë kryesisht ato të vitit të parë gjimnaz…
Të pyetur për programet e klasave të 9-ta, specialistët e DAR shpjegojnë se klasa e nëntë po përshtatet me strukturën e re të gjimnazit, jo me strukturën aktuale. Sipas një drafti për arsimin e mesëm të lartë, nuk do të ketë më profil shoqëror dhe shkencor në gjimnaze. Në vend të tyre do të ketë kurrikula bërthamë (e detyrueshme) dhe kurrikul të avancuar (ku gjimnazisti është i detyruar të zgjedhë midis tyre). Në disa lëndë do të ketë thellim të njohurive dhe do të ketë tekste më të avancuara për një kategori nxënësish. Por ende nuk ka ndonjë detaj për mundësinë e dëftesave të diferencuara dhe të peshës që do të kenë ato në vazhdimësinë e studimeve.
Specialistët e DAR: Tekstet e dobëta e skualifikojnë vetë veten
A keni bërë analiza të rezultateve të nxënësve mbi bazën e teksteve me të cilat kanë punuar?
Kësaj pyetjeje në Drejtorinë Arsimore të Tiranës i përgjigjen se mësuesit i skualifikojnë vetë tekstet e papërshtatshme sepse janë të parët të interesuar, ndërsa drejtoria e tyre nuk ka të drejtë as t i detyrojë, as t u sugjerojë se ky tekst bën dhe ky tjetri, jo. Sipas specialistes së DAR, “tekstet e dobëta e skualifikojnë vetë veten, siç ishte rasti i një teksti matematike, që vitin tjetër mësuesit nuk e morën më”.
Sidoqoftë, ne mendojmë se, pasi tekstet testohen përgjatë një apo dy vjetësh, (mbi bazën e rezultateve krahasuese të nxënësve dhe përshtypjeve të mësuesve), shteti duhet që t u heqë atyre të drejtën të përdoren nëpër shkolla. Ndërkohë, specialistët e DAr kanë gjetur një zgjidhje pa shpenzime duke u kërkuar shtëpive botuese që autorët e teksteve të reja të bashkëpunojnë me mësuesit që do të japin lëndët e teksteve për problemet që këta kanë hasur më parë dhe ndryshimet e duhura. Gjithashtu, atyre u është kërkuar që t i trajnojnë mësuesit për rreth 20 orë, për mënyrën se si të punojnë me tekstet e tyre. Sivjet, mësuesve të klasave të pesta dhe të nënta u është dhënë material ndihmës për programin e të gjitha lëndëve.
Ky lajm është publikuar: 15/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›