E Diel, 1 Nëntor 2026

Instituti i Kurrikulës monitorim programeve mësimore të shkollave private

Kreu i Arsimit i kërkon specialistëve të Kurrikulës, të mbikëqyrin edhe shkollat private
Jonida Tashi

Shkollat private të arsimit parauniversitar do të mbikëqyren së shpejti nga Instituti i Kurrikulës dhe Trajnimit, për programet e tyre mësimore. Lajmi është bërë i ditur dje, nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, gjatë analizës së vjetore të Institutit të Kurrikulës dhe Trajnimit (IKT). Sipas kreut të Arsimit, një nga prioritetet e IKT-së është dhe qëndrimi që duhet të mbahet ndaj arsimit privat në vend. “Deri tani ai ka qenë i mbikëqyrur prej strukturave të shtetit, ndërsa duhet që në të ardhmen ai të mbështetet edhe në përsosjen dhe zhvillimin e tij në të tërë komponentët përbërës për rritjen e cilësisë”,- ka deklaruar ministri i Arsimit.
Analiza
Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, mori pjesë në analizën vjetore të Institutit të Kurrikulës dhe Trajnimit, në të cilën u bë bilanci i punës një vjeçare të këtij institucioni në varësi të MASH. “Instituti juaj është instituti i zhvillimit cilësor të shkollës dhe arsimit tonë. Rritja e cilësisë së shkollimit është sfida afatgjatë për qeverinë aktuale dhe politikëbërjen në arsim dhe cilësia, është së pari, mësuesi i aftë dhe profesional, i përfshirë në sistemin arsimor dhe në këtë qasje na motivon fakti që edhe pse jemi një vend i varfër, investimi që familja shqiptare dhe shoqëria bën në arsim, është mjaft i konsiderueshëm”,- ka deklaruar Tafaj gjatë fjalës së mbajtur në analizë. Më tej, ministri i Arsimit ka porositur pjesëtarët e Institutit që të jenë aktiv dhe kontribuues në reformën e Altertekstit. Sipas tij, kjo reformë kërkon mbështetje në verifikimin e cilësisë së teksteve shkollore përpara se ata të hidhen në treg. Po ashtu, kreu i arsim it është shprehur se një tjetër prioritet që duhet të synojë edhe punën e këtij institucioni është edhe ai i përcjelljes së sa më shumë informacioneve që prodhohen aktualisht për nxënësin, shkollën dhe komunitetin. Në fund të fjalës së tij, Tafaj është shprehur se duhet të punojmë të gjithë së bashku, që reformat e thella të arsimit të jenë pjesë e informimit të publikut të interesuar, që nga kurrikula e re e gjimnazit dhe gjithçka që me shumicë zhvillohet prej politikëbërjes dhe gjen akses tek shkollat dhe mësuesit.
Programet
Në fillim të vitit shkollor 2009-2010, Ministria e Arsimit vendosi që gjatë këtij viti mësimor të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar privat në Republikën e Shqipërisë të funksionojnë në mbështetje të legjislacionit të miratuar për arsimin parauniversitar në vend dhe urdhrave e udhëzimeve të MASH-it për këto institucione. MASH mbështet hapjen dhe shtrirjen e institucioneve të arsimit privat, duke e parë atë si një alternative në ecurinë e arsimit shqiptar. Por, të gjitha këto institucione duhet të garantojnë një shërbim cilësor arsimor ndaj publikut dhe të përmbushin të gjitha detyrimet që rrjedhin nga e drejta për arsimin e shtetasve shqiptarë. Kështu, sipas MASH-it, shkollat private të vendit, duhet të përshtatin planet dhe programet mësimore me ndryshimet, që ndodhin në sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë. Ndërkohë që drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat arsimore të vendit (DAR/ZA), duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë ecurisë së procesit mësimor edukativ, trajnimit të mësuesve, plotësimit me dokumentacionin përkatës shkollor dhe inspektimit periodik në këto institucione. Gjithashtu, edhe sektori i monitorimit dhe vlerësimit në MASH do të ketë në fokusin e punës së tij ecurinë e procesit mësimor edukativ në arsimin privat. Kurse, IKT-ja do të ofrojë trajnime periodike për mësuesit e shkollave private në mbështetje të planit trajnues dhe kualifikues të hartuar nga IKT, DAR/ZA-t si dhe kërkesave të vetë shkollave private.

Shkodër
Dëmtimi i librave nga përmbytja, MASH shpërndan 5 mijë libra për nxënësit

Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj vizitoi dje Shkodrën, për të parë nga afër fillimin e procesit mësimor në të gjitha shkollat e këtij qarku. Sipas burimeve nga Ministria e Arsimit, të gjitha shkollat në zonat e përmbytura të Shkodrës janë hapur dhe mësimi po vijon normalisht. Dita e djeshme ka shënuar fillimin e mësimit edhe për dy shkollat e fundit që u mbyllën, për shkak të përmbytjeve në zonat e Nënshkodrës. Pas evidentimit të nevojave të nxënësve të këtyre zonave për tekste të reja mësimore, Ministria e Arsimit ka mundësuar që rreth 5000 libra shkollorë të klasave të ndryshme, të cilat rezultonin të dëmtuara nga përmbytjet për nxënësit e ciklit parauniversitar në Shkodër, të nisin shpërndarjen dhe kompletimin e plotë të tyre. Ministri Tafaj, duke vlerësuar situatën e emergjencës i propozoi drejtorive të shkollave, vënien në dispozicion të shërbimit psikologjik ndaj fëmijëve në të gjitha orët ekstra dhe shtesë të mësimit. Ndërsa, Drejtoria Arsimore e Shkodrës ka nisur shpërndarjen e rreth 1000 librave artistikë, për t’i dhënë mundësi të gjitha shkollave në ringritjen e bibliotekave të tyre.

23 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›