Digjet nga pakujdesia pasi ndezi zjarrin me naftë
KORÇË – Ndez zjarrin me naftë, digjet nga pakujdesia kujdestari i stallës. Ngjarja në fjalë është regjistruar ditën e djeshme në qytetin e Korçës, ku një person, punonjës pranë një stalle lopësh, në pronësi të Fatos Shuikillit, në momentin që ka dashur të ndezë zjarrin, ka përdorur naftë dhe për pasojë flakët e kanë djegur në fytyrë dhe në duar. Polica e Korçës njofton se personi në fjalë gjendet i shtruar në spitalin e qytetit dhe jashtë rrezikut për jetën. Materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Korçës për hetime të mëtejshme.
Arrestohet në port i kërkuari për vjedhje
DURRËS - Një 18-vjeçar i kërkuar për vjedhje është kapur dje nga policia teksa tentonte të largohej drejt Italisë. Shërbimet e Policisë Kufitare të Komisariatit të Policisë së Portit të Durrësit kanë arrestuar dje 18-vjeçarin Leon Kina, lindur dhe banues në Gradishtë të Lushnjës. Adoleshenti u kap në terminalin e pasagjerëve të Portit të Durrësit në momentin që ka paraqitur para punonjësve të Policisë Kufitare pasaportën me gjeneralitetet e tij. Leon Kina është shpallur në kërkim pasi Prokuroria e Rrethit Lushnjë, më datë 8 maj të vitit të kaluar ka lëshuar urdhër ndalimi për të pasi akuzohet për veprën penale të vjedhjes.
23 Janar 2010